Të shpeshta janë bërë rastet e kërcënimeve ndaj personave me rol të rëndësishëm për shoqërinë, duke përfshirë këtu edhe mjekët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në Gjakovë, ku kësaj here viktimë ishte mjeku Betim Perteshoni, i cili u kërcënua mëngjesin e sotëm në vendin e tij të punës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se mjeku Betim Perteshoni, i cili punon në Institutin e Mjekësisë së Punës në Gjakovë, sot është kërcënuar nga burri i koleges së tij infermiere.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari është punëtor i sigurimit në po atë institut.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari e ka kërcënuar mjekun Perteshoni për motive xhelozie, me pretendimin se ia ka ngacmuar gruan.
Si rezultat i denoncimit Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe i dyshuari është arrestuar e shoqëruar në stacion policor.
Pas intervistimit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Kanosja”.