image Përplasja Rama-Meta për dekretimet, Kushtetuesja del me vendim

Shqipëri

Përplasja Rama-Meta për dekretimet, Kushtetuesja del me vendim

news image

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ka vendosur të pushojë gjykimin për kërkimin mbi zgjidhjen e përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt, si ministër i Jashtëm.

Kushtetuesja ka vendosur pranim të pjesshëm të kërkesës së Ramës për të interpretuar nenin 98 të Kushtetutës, pika 1 për të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të ministrave.

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se emërimi ose shkarkimi i një ministri është kompetencë e tre organeve kryesore, kryeministrit, presidentit dhe Kuvendit, me dakordësi nga njëra tjetra.

“Kryeministri ka rol parësor në formimin e qeverisë në fillim të mandatit qeverisës dhe ka përgjegjësi politike kundrejt Kuvendit, përgjegjësi e cila është e lidhur ngushtë me veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në procedurën e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe ai i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tri organeve të mësipërme. Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion”.

Ndër të tjera, në vendim thuhet se presidenti ka të drejtë të kthejë emërimin e një ministri, por me kushtin e respektimit të besimit në një marrëdhënie ndërinstitucionale.

/GazetaSinjali/