image Përmbyset anija në Gjirin e Meksikës, një i vdekur dhe 12 të zhdukur

Botë

Përmbyset anija në Gjirin e Meksikës, një i vdekur dhe 12 të zhdukur

news image

Roja Bregdetare amerikane në Lousiana njoftoi se një trup i vdekur është gjetur, gjashtë persona u shpëtuan dhe 12 të tjerë janë ende të zhdukur, pasi një anije tregtare me vinç që kishte 19 persona në bord u përmbys në detet e trazuara nga stuhia në Gjirin e Meksikës.

Në një konferencë shtypi në New Orleans, Komandanti i Rojës Bregdetare, kapiteni Will Watson, tha se erërat u raportuan midis 130 dhe 145 km/orë dhe valët ishin mes 2 dhe 3 metra të larta në kohën kur Roja Bregdetare beson se anija u përmbys të martën vonë.

Një zëdhënës i kompanisë që ka në zotërim anijen, kompania e transportit Seacor Marine, konfirmoi se ishte anija-vinç “Seacor Power”.

Kapiteni Watson u tha gazetarëve se 19 persona ishin në bordin e anijes kur ajo u largua nga porti të martën.

Roja Bregdetare njoftoi se iu përgjigj një sinjali emergjence me dritë të martën pasdite nga anija, e cila ishte 13 kilometra në jug të Port Fourchon, në skajin jugor të Lousianas. Ajo bëri një transmetim urgjent detar, të cilit iu përgjigjën anije të shumta që gjendeshin në zonë.

/GazetaSinjali/