image Përleshja në Gjilan: Ky është i dyshuari që sulmoi fizikisht një person dhe dëmtoi veturën e taksisë

Siguri

Përleshja në Gjilan: Ky është i dyshuari që sulmoi fizikisht një person dhe dëmtoi veturën e taksisë

news image

Gazeta Sinjali raportoi të shtunën për një incident që ndodhi në rrugën “Abdullah Presheva” në Gjilan, ku një 52-vjeçar ka sulmuar fizikisht një person tjetër, për motive ende të panjohura. Ngjarja ka ndodhur paradite, ku situata eskaloi dhe u desh intervenimi i Policisë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se i dyshuari që u arrestua në lidhje me këtë rast është Fatmir Emerllahu, i cili është ndaluar, nën dyshimin se ka kryer dy vepra penale.

Sinjali raportoi dje se Emerllahu, përveç sulmit ndaj viktimës, po dyshohet po ashtu se e ka goditur edhe një veturë të taksisë e cila ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes ku ndodhi përleshja.

Si pasojë e dhunës, viktima ka pranuar tretman mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan, ndërsa i dyshuari është arrestuar. 52-vjeçarit i cili sjelljet agresive i vazhdoi edhe gjatë dhe pas arrestimit, iu ofrua edhe ndihmë mjekësore.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë. Ai do të hetohet për dy vepra penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dëmtim apo asgjësim i pasurisë’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/