image Përfaqësuesi i Qeverisë: Vetëvendosje po e sfidon vendimin e Gjykatës për votën e Etem Arifit

Drejtësi

Përfaqësuesi i Qeverisë: Vetëvendosje po e sfidon vendimin e Gjykatës për votën e Etem Arifit

news image

Përfaqësuesi i Qeverisë, avokati Besnik Berisha në seancën e sotme dëgjimore në Gjykatë Kushtetuese ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke e sfiduar vendimin e Gjykatës për votën e deputetit Etem Arifi, shkruan Gazeta Sinjali.

“Duket se çështja e z.Arifi nëse kishte apo jo mandat legjitim kushtetues dhe ligjor tashmë nuk është subjekt, pasi që ata pranojnë që z.Arifi është certifikuar nga KQZ-ja. Vendimi që këta i referohen është një legjislature më parë. Unë krijova përshtypje që këta sfidojnë vendimin e Gjykatës, që nuk ia ka ndaluar z.Arifi të drejtën për t’u zgjedhur”, ka thënë avokati Besnik Berisha.

Berisha tutje ka thënë se askush nuk mund të privohet nga e drejta për t’u zgjedhur pa një vendim plotësues të Gjykatës për të kandiduar ose për t’u zgjedhur.

Sipas Berishës, çështja e dënimit të deputetit Arifi s’mund të lidhet me legjislaturën e shtatë, por me atë paraprake. Ai ka thënë në fjalën para Gjykatës Kushtetuese se koha e dënimit të Arifit nuk lidhet me legjislaturën kur deputeti votoi pro formimit të Qeverisë Hoti. Berisha ka thënë se deputeti Arifi nuk ka pasur dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes

“Zoti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar Kuvendi.

Ndaj z.Arifi nuk kishte vendim plotësues të Gjykatës. Këta sot sfidojnë vendimin e Gjykatës, për t’u zgjedhur. Një vendim ka formën e prerë, kur ndaj tij nuk mund të shtrohet ankesa, ose ankesa është e palejuar. Këta fajësojnë se ndaj tij nuk është shqiptuar një vendim plotësues. Askush nuk mund të privohet nga e drejta për t’u zgjedhur pa një vendim plotësues”, tha Berisha.

/GazetaSinjali/