image Përderisa MSH-ja zvarrit licensimin e laboratorëve, agjencia turistike 'garanton' testime të shpejta serologjike

Kosovë

Përderisa MSH-ja zvarrit licensimin e laboratorëve, agjencia turistike ‘garanton’ testime të shpejta serologjike

news image

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i lejojë institucionet private shëndetësore të kryejnë teste për koronavirus. Por, ndonëse kanë aplikuar më shumë se 100 laboratorë privatë, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka arritur t’i licensojë.

Prandaj, shumë qytetarë po ju drejtohen klinikave private që mundësojnë teste të tilla, ndonëse ato nuk kanë licensë. Kjo po ndodhë për shkak se në shumë shtete nuk mund të shkojnë pa pasur një test negativ.

Kështu po ndodh në Mal të Zi, ku kosovarët nuk mund të hyjnë pa prezantuar para autoriteteve, një test negativ për koronavirus, i cili nuk duhet të jetë më i vjetër se 48 orë.

Siç duket këtë po ua garanton një agjenci e udhëtimeve në Prishtinë. “Veneta Travel” ka vendosur t’i ndihmojë klientët që dëshirojnë të udhëtojnë në Mal të Zi, duke asistuar për marrjen e një testi të shpejtë serologjik.

Në një njoftim në faqen zyrtare në Facebook, thuhet se rezultatet e testit do të dalin brenda ditës, ndërkaq çmimi i një testi është 33 euro.

 “Për shkak të kërkesave të mëdha për testin e Covid-19, ju informojmë se kompania jonë mund t’ju asistojë në marrjen e testit të shpejt serologjik për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të udhëtojnë në Mal të Zi. Ne asistojmë në rregullimin e termineve dhe e gjithë procedura mund të kryhet brenda ditës. Çmimi i testit është €33 për person. Procesi i testit zgjatë nga 45 minuta deri në 1 orë e 30 minuta. Testi mund të kryhet nga ora 07:30 deri në ora 14:00, për ndonjë rast të veqantë orari mund të zgjatet pas orës 14:00. Pagesa e testit bëhet direkt në spital”, thuhet në njoftimin e tyre.

Por ajo çfarë mbetet edhe më tutje enigmë, përkundër insistimit të Gazetës Sinjali, është emri dhe vendndodhja e institucionit shëndetësor që kryen testime për të interesuarit, si dhe nëse ky institucion është pajisur me licensë përkatëse.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me pronarin e kësaj agjencie, Ilaz Beqiri, i cili ka thënë se laboratori ku do të kryhen testet është i licensuar, por nuk ka treguar nga kush.

“Klinika është e licensuar. Nëse don me ble aranzhman, mund të vini dhe t’i kuptoni detajet. Klienti e  e merr atë test dhe udhëton në Mal të Zi, pa problem. Nuk e di kah e ka marrë licensën klinika, unë vetëm kom gjetë zgjidhje për klientat e mi, pjesa tjetër nuk më intereson”, ka thënë Beqiri për Gazetën Sinjali.

Ai madje tha se kjo po bëhet edhe për shkak se kjo agjenci ka hotele në Mal të Zi, dhe duhet të gjejë zgjedhje për biznesin që udhëheqë.

 “Ne i kemi hotelet tona, kemi hulumtuar që t’i ndihmjmë klientët. Në biznesin tonë kemi konkurrencë. Klientet e dijnë ku e bëjnë testin në momentin e aranzhimit. Ka edhe zgjedhje të tjera. Ne teste nuk bëjmë, vetëm ju ndihmojmë njerëzve ku me i bë këto tetse”, ka thënë ai tutje.

Ndërkaq zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Gazetën Sinjali se ende nuk janë shqyrtuar të gjitha aplikimet e laboratorëve që mund të kryejnë teste për COVID-19.

“103 laboratorë po shqyrtohen këtë javë. Janë në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve. Kur të përfundon shqyrtimi i aplikacioneve del lista e institucioneve private shëndetësore.  Agjencitë turistike nuk janë institucione shëndetësore”, ka thënë Hoti.

Sipas Agjencisë së regjistrimit të bizneseve në Kosovë, agjencia “Veneta Travel” kryen 16 aktivitete.

Kujtojmë se që nga fillimi i pandemisë shumë institucione private në Kosovë kanë kryer teste për COVID-19 pa pasur licensë. /GazetaSinjali/