image Për 7 vite 86 marrëveshje bashkëpunimi u nënshkruan mes Kosovës e Shqipërisë, shumica s'janë zbatuar

Kosovë

Për 7 vite 86 marrëveshje bashkëpunimi u nënshkruan mes Kosovës e Shqipërisë, shumica s’janë zbatuar

news image

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara nga të dy shtetet.

Mbledhja e parë:

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Mbledhja e dytë:

Pas Thaçit ishte ish-kryeministri Isa Mustafa që shkoi në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 kanë nënshkruar 5 marrëveshje, 4 memorandume  dhe 2 protokolle bashkëpunimi.

Mbledhja e tretë:

Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.

Mbledhja e katërt:

Me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt në Korçë, më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.

Mbledhja e pestë:

Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.

Mbledhja e gjashtë:

Nën sloganin “bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdullah Hoti.

Sot u mbajt mbledhja e shtatë:

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare, një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të këtij viti, qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë. Dy qeveritë ranë dakord në 2019 që të hapnin pikën kufitare të Kosovës në Portin e Durrësit por që në këtë pikë ende nuk ka nisur zhdoganimi i mallrave. 

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar./GazetaSinjali/