image PDK padit për shpifje Jeta Xharrën, i kërkon 2 milionë euro dëmshpërblim

Drejtësi

PDK padit për shpifje Jeta Xharrën, i kërkon 2 milionë euro dëmshpërblim

news image

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar padi civile ndaj kompanisë mediale “Kallxo.com”, konkretisht ndaj gazetares, Jeta Xharra, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, avokati Skender Musa, të cilin PDK e ka autorizuar për të dorëzuar këtë padi.

Sipas Musës, PDK konsideron se Jeta Xharra ka shpifur me një artikull ku thuhet se gjatë qeverisjes “PAN”, janë paguar 168 mijë euro një kompanie me seli në Paris, e cila sipas tyre kishte promovuar “Pozicionin e Kosovës” për “Korrigjim territoresh”, si mjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë shkrim, thuhet se në vitin 2019 Ministria e Integrimeve Europiane e Kosovës i pagoi 168 mijë euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi. Asokohe, kjo ministri drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Avokati Musa, ka thënë për Gazetën Sinjali, se gazetarja Xharra ka shpifur teksa ka thënë se këto mjete janë dhënë për të lozur për ndarje territoresh.

“Partia Demokratike e Kosovës, konkretisht ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhuarata Hoxha kanë ngritur padi për shpifje ndaj gazetares Jeta Xharra dhe kompanisë mediale që ajo drejton për shkak të një artikulli ku thuhet se ministrja Hoxha ka nënshkruar dy kontrata për ndarje të Kosovës. Padia është plotësisht në pajtim me ligjin për shpifje. PDK më ka autorizuar që ta shqyrtojë materialin të cilën e ka publikuar vetë Jeta Xharra për të parë nëse ka argumente apo ndonjë burim alternativ për ta mbështetur shkrimin, por kam ardhur në përfundim që shkrimi nuk ka pasur argumente dhe është bërë shpifje me qëllim që të dëmtohet imazhi i partisë dhe i ish-ministres Hoxha”, tha Musa.

Musa më tej shtoi se nuk ekziston asnjë kontratë e nënshkruar nga ish-ministrja Hoxha për ndarje të territorit të Kosovës. Përkundrazi, thotë se ato prova janë publike dhe nuk janë sekrete.

“Në bazë të ligjit për shpifje është padyshim shpifje, nuk ka asnjë burim zyrtarë që mund ta vërtetojë një kontratë të tillë se ekziston një kontratë e nënshkruar nga zonja Dhurata Hoxha për ndarjen e territorit të Kosovës, përkundrazi, provat materiale gjenden në ministrinë e Integrimit Evropian për të cilat mund secili qytetarë që t’i marrë dhe t’i shikojë. Ato kontrata janë publike nuk janë sekrete, prandaj në këtë aspekt janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore që të ketë shpifje dhe kjo shpifje është bërë me qëllim për të kryer ndonjë shërbim a lobim për ndonjë subjekt apo për vetë personin në fjalë”, deklaroi ai.

E dëmi që ka mundur t’i sjellë PDK-së për shpifje, llogaritet të jetë afër 2 milionë euro, për të cilat avokati Musa thotë se këto shpifje kanë dëmtuar rëndë këtë parti dhe vetë Dhurata Hoxhën.

“Në bazë të dëmeve që ka mundur t’i sjellë PDK-së dhe vetë zonjës Hoxha, ne llogarisim që pas ekspertizës financiare, do t’i kërkojmë rreth dy milionë euro vlerë dëmshpërblim. Për shkak se dëmi ka qenë shumë i madh, situata ka qenë shumë e tensionuar politike dhe ju e dini se e gjithë fushata është adresuar në atë formë, tradhtar dhe patriotë, thika mbi harta e gjëra tjera. Këto janë gjëra të ndjeshme”, përfundoi ai./Gazeta Sinjali/