image (Pa)siguria në rrugë: Numër i madh i aksidenteve në trafik brenda ditës, disa persona përfundojnë në spital

Sinjalizime

(Pa)siguria në rrugë: Numër i madh i aksidenteve në trafik brenda ditës, disa persona përfundojnë në spital

news image

Foto ilustruese


Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.

Brenda 24 orëve të fundit kanë ndodhur një numër i madh i aksidenteve në komunikacion, ku si pasojë janë lënduar dhe kanë kërkuar ndihmë në spitalet e Kosovës disa persona.

Mëngjesin e djeshëm në rrugën ‘Rexhep Bislimi’ në Ferizaj janë përfshirë në një aksident një veturë dhe një biçikletë. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mosmbajtjes së distancës anësore mes dy mjeteve. Si pasojë është lënduar drejtuesi i biçikletës, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj.

Pos ndeshjes mes veturave, në shumë raste viktima janë edhe këmbësorët. Kështu e pësoi dje një person në fshatin Fushticë të Drenasit, pasi një veturë e goditi atë, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa shoferi që dyshohet se shkaktoi aksidentin, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Nga një aksident e pësoi edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili derisa ishte në detyrë u godit nga një motoçikletë. Sinjali mëson se kjo ka ndodhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së motoçikletës dhe pamundësisë së shoferit për të frenuar dhe të ndalet në momentin që ia kërkoi polici. Si pasojë e aksidentit, polici ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar në spital, ndërkohë që të miturit që po drejtonte motoçikletën i është shqiptuar gjobë për kundërvajtje.

Dy automjete u ndeshën edhe në fshatin Çubrel të komunës së Skenderajt dhe si pasojë u lëndua një person. Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur nga pakujdesia dhe për shkak të mosmbajtjes së distancës mes automjeteve. Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Si pasojë e një aksidenti në fshatin Dren të Leposaviqit, mbeti i lënduar një person. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion dhe gjithçka dyshohet se ka nodhdur për shkak të ndërrimit të shirtit të rrugës në mënyrë të pakujdesshme. I lënduari është dërguar në spital dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.

/GazetaSinjali/