image Pas raportimeve se një i moshuar u arrestua dhunshëm sot në Vushtrri, Policia del me sqarim

Siguri

Pas raportimeve se një i moshuar u arrestua dhunshëm sot në Vushtrri, Policia del me sqarim

news image

Policia e Kosovës ka dalë me reagim pas publikimit të një video nga disa portale ku shihej se policia po konfrontohej dhe po arrestonte një të moshuar në Vushtrri, shkruan Gazeta Sinjali.

Në sqarimin e Policisë njoftohet se kjo e fundit deri sa ishte duke patrulluar në bulevardin “Adem Jashari” në Vushtrri me qëllim të zbatimit të planit operativ COVID-19, kishte hasur në një person i cili nuk e kishte pasur të vendosur  maskën mbrojtëse dhe nga i njëjti  policia ka kërkuar që ta vendos maskën mbrojtëse bazuar në vendimin për masat mbrojtëse nga pandemia.

Tutje në sqarimin e Policisë theksohet se personi në fjalë fillimisht kishte refuzuar vendosjen e maskës, e po ashtu kishte refuzuar edhe prezantimin e dokumentit identifikues të kërkuar nga zyrtarët policorë.

Policia e Kosovës ka shtuar se të njëjtit person i kanë dhënë dhe një herë urdhër verbal, por i njëjti nuk i është bindur urdhrave të policisë, duke thënë se është i sëmurë.

Sipas policisë ai nuk e kishte argumentuar këtë me ndonjë dokument mjekësor.

“Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa  herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor”, thuhet ndër të tjera në sqarimin e Policisë së Kosovës.

Pas kësaj policia ka njoftuar se personi video e të cilit ka qarkulluar sot në media është dërguar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtejme.

Sipas policisë është rezultuar se personi në fjalë nuk ka asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale.

Ndaj tij është iniciuar rasti “Mosrespektim  i urdhrit të policit (PRQP)”. Ndërsa rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

/Gazeta Sinjali/