image Paratë i dha, por biletën për Gjermani s'e mori kurrë, mërgimtari rrëfen se si u mashtrua nga 'Express Travel' në Pejë

Siguri

Paratë i dha, por biletën për Gjermani s’e mori kurrë, mërgimtari rrëfen se si u mashtrua nga ‘Express Travel’ në Pejë

news image

Paratë i dhanë, por biletat që i paguan për t’u kthyer në vendin ku jetojnë e punojnë si emigrantë s’i morën kurrë. Dhjetëra mërgimtarë dyshohet se u mashtruan nga një agjension turistik fiktiv me emrin ‘Express Travel’ e me seli në qytetin e Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali sot gjatë ditës raportoi ekskluzvisht për mashtrimin që dyshohet se menaxheri i ‘Express Travel‘, Roland Idrizaj, ua bëri disa mërgimtarëve të cilët kishin vendosur që biletat e tyre të aeroplanit dhe autobusit për t’u kthyer në shtetet e Perëndimit t’i merrnin përmes kësaj kompanie.

Një sinjalizues i cili jeton në Gjermani, ka rrëfyer për Gazetën Sinjali gjithë përvojën e hidhur që përjetoi pasi ra pre e mashtrimit nga Idrizaj dhe ‘Express Travel‘.

B.C., ka bërë të ditur se me agjensionin në fjalë ka kontaktuar përmes rrjetit social ‘WhatsApp’, ku është informuar lidhur me çmimet e biletave dhe datat se kur mund të udhëtojë me aeroplan për në Gjermani. Sipas tij, gjithçka ishte në rregull, pasi që edhe pagesën e kreu përmes bankës dhe po priste vetëm datën 4 gusht që të kthehet në vendin ku jeton dhe vepron tash e sa vite.

I kam dërgu paret dhe më kanë dërguar biletën. Bileta duket shumë reale dhe nuk kam menduar që asht rrenë, pastaj ditën kur e kam pas ditën me fluturu me 04.08 ora 11:00“, tha ai për Sinjalin.

Fletëpagesa për ‘biletën’ e B.C.

Por gjithçka ndryshoi ditën kur ai po bëhej gati që të niset. B.C., rrugës për aeroport u njoftua se fluturimi ‘është shtyrë‘ për në ora 20:00. Por, sipas tij, pak më vonë ai ka marrë vesh se i ‘është anuluar‘ bileta.

Pastaj rrugës t’u shku aeroport më lajmërun që u shty për në ora 20:00. Mbrëmje, okej edhe pastaj u ktheva në shtëpi, pastaj në ora 17:30 më thirrën në telefon që mu ka anulu bileta“, rrëfen tutje ai.

B.C., ka kërkuar sqarime nga kompania në fjalë dhe u ka kërkuar atyre që t’ia kthejnë paratë të cilat ua dha për biletën e aeroplanit.

Unë pastaj normal që ju thashë pse kshtu mu më duhet me ikë Gjermani se në punë jam atje. Me thanë na fal po s’kemi çka t’bëjmë, unë pastaj ju thashë që me m’i kthy paret ai më tha nuk asht problem, t’i dërgojmë“, ka thënë tutje B.C., për Sinjalin.

Ndonëse ua dërgoi numrin e xhirollogarisë për t’ia kthyer paratë e tij, kjo nuk ndodhi. ‘Express Travel‘ përpos që nuk i janë përgjigjur, e kanë bllokuar në rrjete komunikimi mërgimtarin nga Gjermania.

Unë ja dërgova kartelën e bankës për m’i kthy paret mas nja dy ditë ju kam shkruar akoma nuk m’i keni kthy paret nuk kthejshin përgjigje. Pastaj mbas 4 dite më kanë bllokuar dhe s’kam kontakt tash me ta. Aty e kam kuptu që asht rrenë“, tha ai.

Udhëtimin që duhej ta përfundonte për më pak se tri orë, B.C., u detyrua që ta bënte për tri ditë. Kjo pasi që iu desh të udhëtonte për tri ditë me autobus. Për shkak të kësaj, ai ka humbur një ditë të punës.

Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, të cilët përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se Idrizaj i ka vёnё nё lajthitje rreth 20 mërgimtarët që denoncuan rastin me qёllim të pёrfitimit personal.

Tё njёjtit deklarojnё se nё afate tё ndryshme kohore nё vitin 2022, gjatё sezonit verorё kanё rezervuar bileta tё aeroplanit vajtje-ardhje pёr ta dhe familjarёt e tyre nga shtete tё ndryshme tё Europёs pёr nё Kosovё”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë, pas fillimit të hetimeve, Idrizaj nuk ka qenë i qasshëm dhe ndërkohë nga familjarët e tij është raportuar si person i zhdukur.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Idrizaj ka telashe me ligjin. Ai ishte arrestuar edhe në prill të vitit 2019, ku edhe atëherë dyshohej se në bashkëkryerje me një grua, kanë mashtruar me avio-bileta gjithsej 27 bashkatdhetarë.

Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor në katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/