image OVL e UÇK-së i kërkon llogari Qeverisë Kurti: Çfarë përmbajnë marrëveshjet me Serbinë

Kosovë

Komunikatë/ OVL e UÇK-së i kërkon llogari Qeverisë Kurti: Çfarë përmbajnë marrëveshjet me Serbinë

news image

OVL e UÇK-së (Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së) ka reaguar ndaj nënshkrimit të marrëveshjeve të sotme me Serbinë për hekurudhat dhe autostradat.

Në një komunikatë për media, OVL e UÇK-së thotë se këto marrëveshje, duken të mjegulluara dhe se qeveria duhet t’ia bëjë të qartë publikut se çfarë përmbajnë këto marrëveshje.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për korridorin ajror në relacionin Prishtinë-Beograd, e po ashtu nënshkrimi i marrëveshjeve të sotme për hekurudhat dhe autostradat, siç e kemi parë në media, duken të mjegulluara. OVL UÇK kërkon nga ish-Qeveria dhe Qeveria aktuale e Kosovës, si dhe institucionet e partitë politike, që të sqarojnë publikun se çfarë përmbajnë këto marrëveshje”, thuhet në komunikatë.

Pas marrëveshjes për trafikun ajror, nënshkrimin e marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat e ka quajtur moment historik edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Twitter, presidenti Thaçi për arritjen e kësaj marrëveshje e ka falënderuar presidentin e ShBA-së (Shteteve të Bashkuara të Amerikës), Donald Trump për lidershipin si dhe ambasadorin Richard Grenell për vendosmërinë.

“Faleminderit presidentit Trump për lidershipin e tij si dhe ambasadorin Grenell për vendosmërinë e tij. Një hap i madh drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare të paqes ndërmjet dy vendeve”, ka shkruar ai.

Ndërsa, Ambasada e ShBA-së në Berlin ka thënë se marrëveshjet për linjën ajrore, hekurudhore dhe për autostradën do të lehtësojë lidhjet dhe lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes Serbisë dhe Kosovës.

Emisari special i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell ka theksuar se marrëveshjet në Munih janë arritur falë direktivave të qarta të presidentit Trump.

“Falë direktivave të qarta të presidentit Trump, ne kemi nënshkruar tri marrëveshje ekonomike për katër muaj. Një për udhëtimin ajror, një për hekurudha dhe një për autostrada”, tha Grenell./GazetaSinjali/