image Osmani: Shteti ka mbi gjysmë miliardi euro borxhe ndaj bizneseve dhe qytetarëve

Financa

Osmani: Shteti ka mbi gjysmë miliardi euro borxhe ndaj bizneseve dhe qytetarëve

news image

Borxhi i shtetit ndaj kompanive dhe qytetarëve të vendit ka arritur në mbi gjysmë miliard euro, borxhe këto të cilat janë vazhdimisht në rritje dhe kështu po kërcënohet seriozisht buxheti i shtetit.

Derisa shqetësuese mbetet që në disa organizata buxhetore dhe në Telekomin e Kosovës vazhdojnë të japin paga për punëtorë pa shkuar në punë fare.

Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani thotë se janë tri kërcënime serioze që po i bëhen buxhetit të shtetit; nga borxhet e mëdha të shtetit ndaj qytetarëve dhe bizneseve, nga rënia e të hyrave buxhetore dhe nga borxhi i jashtëm.

Osmani thotë se duke i llogaritur obligimet sipas të gjitha bazave, operatorët ekonomikë dhe qytetarët kanë pretendime financiare ndaj qeverisë mbi 556 milionë euro, që sipas tij, ky trend është në rritje.

“Nëse këto tri pika nuk menaxhohen mirë, buxheti kërcënohet në mënyrë serioze dhe të bëhet i aftë për të financuar institucionet e shtetit. Fatkeqësisht dy të fundit, borxhet kundrejt qeverisë nga bizneset dhe qytetarët po rriten prej 16 për qind në krahasim me vitin paraprak. Ky është një tregues shumë i dëmshëm, por njëkohësisht është edhe një alarm për institucionet që kanë përgjegjësi ta përmirësojnë këtë. Përkundër kësaj është treguesi tjetër që po rriten edhe borxhet e qeverisë ndaj bizneseve. Këto borxhe kanë kaluar shifrën prej 500 milionë euro. Borxhi i jashtëm, është një borxh diku pak mbi 1 miliard euro”, tha Osmani.

Në anën tjetër shuma e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve ndaj Qeverisë është pothuajse e njëjtë me atë të vitit paraprak – mbi 637 milionë janë borxhe të pambledhura, nga të cilat në nivel qendror janë 452 milionë dhe në nivel lokal 185 milionë.

Pjesa dërmuese e borxheve të pambledhura ka të bëjë me ATK-në dhe Doganën, të cilat së bashku kanë 404 milionë borxhe të pambledhura apo rreth 64 për qind të shumës totale.

Auditori ka ngritë edhe një shqetësim tjetër, për disa organizata dhe ndërmarrje publike që japin paga për punëtorë pa shkuar në punë fare.

“Sa i përket organizatave buxhetore të cilat financohen direkt nga buxheti i shtetit kemi një numër të caktuar të shkeljeve, për të cilat ne kemi dhënë diku 950 rekomandime, që në shumicën e institucioneve janë të natyrës së njëjtë. Nëse marrim kategorinë e pagave ajo që ne kemi evidentuar është se kemi punësime të cilat janë lidhur kontrata në vepër dhe nuk janë respektuar procedurat e aplikimit që lidhen me transparencën dhe konkurrencën si dhe pagat e tyre janë bërë nga kodet buxhetore që kanë qenë të gabuara. Te pagat po ashtu kemi raste të tjera kur janë paguar nga lista e pagave që është jashtë kriterit ligjor apo kemi raste të tjera kur janë paguar punëtorët, institucionet për të cilat ata punojnë dhe marrin pagat nuk kanë qenë në gjendje para auditorëve tonë të dëshmojnë se ata punëtorë kanë kryer punën e tyre qoftë edhe në kërkesa që kanë të bëjnë me vajtje-ardhje në punë”, tha Osmani.

Shqetësimet, sipas Osmanit kanë të bëjnë me likuiditetin e ndërmarrjeve dhe lidhur me vështirësitë financiare që ato i kanë dhe do t’i kenë për t’i ofruar këto shërbime.

Osmani duke folur për raportin e auditimit të vitit 2019, thotë se nga numri i organizatave që janë audituar përkundër pandemisë, mbulimi ka qenë në nivel.

Nga viti paraprak vetëm 40 për qind e rekomandimeve janë zbatuar dhe 15 për qind janë në zbatim e sipër, ndërsa pjesa tjetër e rekomandimeve nuk ka filluar ende, kjo nënkupton që kërkohet një përkushtim më i madh. /Gazeta Sinjali/