image Osmani kujton Ukë Bytyqin: Liria do të mbetet e paplotë deri të zbardhen vrasjet politike

Politikë

Osmani kujton Ukë Bytyqin: Liria do të mbetet e paplotë deri të zbardhen vrasjet politike

news image

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar zyrtarin e vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Bytyqin, shkruan Gazeta Sinjali.

Osmani ka thënë se Bytyqi ishte vrarë pikërisht sepse i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh.

Gjithashtu ajo ka thënë se liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura.

“Sot, në 18-vjetorin e vrasjes, ne e kujtojmë kryetarin e Suharekës, Ukë Bytyqin, udhëheqësin e jetës politike e institucionale në Suharekë, bashkëmendimtarin e bashkëveprimtarin e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës.

E kujtojmë familjarin e mirë e prijësin e urtë, i cili Suharekës e suharekasve ua dha modelin e prijësit guximtar e të vendosur, jo vetëm për organizimin e jetës paralele gjatë lëvizjes për pavarësi, në vitet ’90, duke qenë prijës i LDK-së në këtë komunë, por edhe për organizimin e luftës, duke marrë pjesë në organizimin e celulave të para të UÇK-së, dhe pas luftës, kur mori përsipër t’u printe qytetarëve të këtij qyteti në ndërtimin e jetës institcionale e politike.

Guximi e vendosmëria, urtia e fjala e peshuar e shndërruan Ukën në njeri të besueshëm për qytetarët e Suharekës dhe gjithë Kosovës. Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë. Liria e vendit do të mbetet e paplotë për aq kohë sa këto vrasje politike do të jenë të pazbardhura”, ka përfunduar Osmani.

Me rastin e 18-vjetorit, Kryeministri Avdullah Hoti do të vendosë kurora me lule te shtatorja e Ukë Bytyqit në Suharekë./ Gazeta Sinjali/