image Osmani edhe në Belgjikë diskuton për liberalizimin e vizave

Kosovë

Osmani edhe në Belgjikë diskuton për liberalizimin e vizave

news image

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka vazhduar takimet zyrtare në Bruksel dhe sot është takuar me presidenten e Senatit në Belgjikë, Stephanie D’Hose dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve në Parlament, Éliane Tillieux, shkruan Gazeta Sinjali.

Siç njoftojnë nga presidenca, Osmani falënderoi ato për mbështetjen që ka ofruar Belgjika për popullin e Kosovës.

Sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian nuk është vetëm çështje politike por mbi të gjitha vullnet i përgjithshëm i popullit më pro-Evropian.

Ka folur edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit, investimit në arsim dhe shëndetësi për zhvillimin e vendit, derisa Osmani tha se Belgjika mbetet një shtet model për Kosovën për shumë prej të arriturave të saj.

“Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. u.d. presidentja Osmani theksoi se liberalizimi i vizave do t’i mundësonte qytetarëve të Kosovës të marrin më të mirën e Evropës dhe ta sjellin atë në Kosovë, teksa do ta ofronte Evropën më afër një kapitali të jashtëzakonshëm njerëzor, duke iu referuar rinisë kosovare”, njofton presidenca.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit në avancimin e diplomacisë parlamentare, bashkëpunim ekonomik, si dhe rimëkëmbjen duke investuar në arsim, shëndetësi, mbrojtje të mjedisit, si dhe në avancimin e përfaqësimit gjinor në çdo fushë.

/Gazeta Sinjali/