image Osmani: Bandat kriminale në Veri nxiten dhe armatosen nga Vuçiq

Politikë

Osmani: Bandat kriminale në Veri nxiten dhe armatosen nga Vuçiq

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Itali ka zhvilluar disa takime të rëndësishme, ku ndër të tjera ka folur për situatën në veri të vendit në kohët e fundit, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për të përditshmen italiane ‘Corriere’, Osmani ka thënë se serbët në veri të Kosovës përdoren nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pengje dhe ata kanë frikë nga bandat kriminale që sipas saj, nxiten dhe armatosen nga homologu i saj serb.

“Problemi është se serbët në veri të Kosovës janë në kufi me Serbinë dhe Vuçiqi i përdor si pengje: ata nuk kanë frikë nga unë, ata kanë frikë nga bandat serbe që hyjnë në shtëpitë e tyre, ua djegin makinat, kërcënojnë fëmijët e tyre. Një situatë shumë e vështirë.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me bandat në veri të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura, të armatosura nga Vuçiqi: kriminelët serbë që prej kohësh janë në listat e zeza të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe, ajo që quhet mafia ballkanike dhe që nuk e pëlqen vendosmërinë me të cilën ne po e luftojmë dhe prandaj përdorim dhunë ndaj nesh”, ka thënë ajo.

E para e shtetit ka thënë se po rritet ndikimi rus në Serbi dhe sipas saj këtë e vërteton hapja e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse.

 “Para së gjithash, po rritet ndikimi rus në Serbi: Beogradi ka dhënë dritën jeshile për hapjen e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse, të cilat sipas ShBA-së nuk janë gjë tjetër veçse qendra spiunazhi dhe e kanë shndërruar kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane”, ka thënë Osmani.

Tutje presidentja Osmani e ka quajtur Vuçiqin si mbretëreshë të dramave duke thënë se është edhe zjarrvënës, e edhe zjarrfikës.

“Fillimisht i përdor këto banda për të na destabilizuar, pastaj shkon vërdallë duke folur për paqen. Kushtetuta jonë mbron pakicat më shumë se çdo tjetër në Evropë. Ne u frymëzuam nga traditat më të mira të të drejtave të njeriut, sepse donim të siguroheshim që të gjithë ndjehen të sigurt dhe të mirëpritur. Ne ishim të parët që u diskriminuam, ne e dimë se çfarë do të thotë. Serbët nuk kanë pasur kurrë probleme pas luftës: sigurisht që ka pasur incidente, por ato ndëretnike janë 0.03% e totalit dhe janë në rënie”, ka thënë presidentja.

/GazetaSinjali/