image Nuhiu: E kemi studiuar kundërshtarin, do të japim më të mirën tonë

Futboll

Nuhiu: E kemi studiuar kundërshtarin, do të japim më të mirën tonë

news image

Drita nesër udhëton drejt Nyonit të Zvicrës për t’u përballur me Inter d’Escaldes në kuadër të raundit preliminar të Champions League.

Para udhëtimit, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu në një intervistë për Sinjali Sportiv tregoi se tentuan transferimin e disa futbollistëve, megjithatë pandemia u shkaktoi probleme.

“Kemi dashtë të freskojmë ekipin me dy tre futbollistë cilësor për të rritur edhe me tepër cilësinë në ekip, mirëpo pandemia pak na ka shkaktuar probleme për shkak që futbollistët që kemi dashtë t’i afrojmë ndoshta kanë kontrata me ekipet e tyre për të luajtur garat edhe në Evropë. Këto dy ndeshjet e para do të shkojmë me grupin e njëjtë i cili ka dalë kampion dhe pastaj të mundohemi të shtojmë dy tri vlera në ekipin tonë” – theksoi Nuhiu.

I pyetur se a e kanë analizuar ekipin kundërshtar, Nuhiu tregoi se bashkë me futbollistët e ka studiuar Inter d’Escaldes.

“E kemi studiuar ekipin, kemi marrë shumë informacione për ndeshjen e parë ndaj ekipit të Inter d’Escaldes. E kemi analizuar bashkë me futbollistët. Jam munduar gjatë që të bind futbollistët se duhet të japin më të mirën në fushë. Duhet të jemi të bashkuar. Të sulmojmë bashkë, të mbrohemi bashkë dhe të arrijmë të kalojmë ndeshjen e parë e pastaj të presim ndeshjen e radhës” – u shpreh trajneri i Dritës.

Në fund, ai tregoi se prej nga do të mund të vijnë transferimet e reja të Dritës, teksa nënvizoi se ato do të ndodhin pas kalimit të këtij raundit preliminar.

“Nuk përjashtojmë edhe pazarin në Kosovë. Nuk përjashtohet edhe ndonjë futbollist që mund të vij nga Shqipëria apo Maqedonia apo ndonjë vend tjetër. Jemi me dy tre futbollistë në bisedime, më tepër detaje nuk mund të zbuloj, por gjithçka do të ndodhë pasi të kalojmë këto dy ndeshje” – përfundoi Nuhiu.

Nëse Drita fiton të shtunën ndaj Inter d’Escaldes, në finale të raundit preliminar do të takohet me fituesin e duelit mes Linfield dhe La Fiorita./Gazeta Sinjali/