image Njeriu që gjuan me kamerë

Histori

Njeriu që gjuan me kamerë

news image

Bashkëbisedim me Sylejman Kllokoqin, reporter i njohur i luftës në Bosnjë dhe asaj në Kosovë, bashkëpunëtor i disa prej agjencive më të mëdha botërore të lajmeve, xhirimet e të cilit kanë dokumentuar tmerret që kanë tmerruar botën

Sylejman Kllokoqi u lind më 1958, në Kllokoq. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prishtinë, kurse Fakultetin e Arteve – Dega e Kamerës në Beograd, në vitin 1982. Në vitin 1982 u punësua në Radiotelevizionin e Prishtinës, për të kaluar më pas në korrespondenturën e TV Beogradit dhe të TV Zagrebit në Prishtinë. Nga viti 1990 u angazhua në televizionin “Yutel”, me seli në Sarajevë, duke xhiruar ngjarjet dhe luftërat që sollën shkatërrimin e ish- Federatës jugosllave. Në Sarajevën nën rrethim ka qëndruar deri në fund të vitit 1994, duke dërguar xhirime për agjencitë botërore. Me t’u kthyer u angazhua nga agjencia amerikane WTN, që më vonë u bë pjesë e AP-së, për t’i mbuluar ngjarjet në Kosovë dhe rajon. Gjatë luftës në Kosovë bëri xhirimet e masakrave të Abrisë dhe të Reçakut. Gjatë bombardimeve të NATO-s ka qëndruar fshehur në Prishtinë. Kllokoqi punon në Zyrën e Agjencisë AP në Prishtinë, duke dërguar raporte për ngjarjet më të rëndësishme. Libri i tij ‘Me kamerë në shtatë luftëra’ përmban tregime të autorit gjatë qëndrimit në Sarajevë dhe rrëfime për luftën e fundit në Kosovë.

Bashkëbisedoi Donjeta Abazi

Sylejman Kllokoqi nuk është rrëfimtar i luftës në kuptimin e thjeshtë të fjalës, ai është njeriu fantazmë që u mishërua me vdekjen, abortoi jetën për plot vite, në plot shtatë luftëra, dhe i bëri të trija bashkë në kuadrin e kamerës.

Kllokoqi ishte fëmija që qysh në moshën 13-vjeçare e mësoi fotografinë pa e ditur asnjëherë që në të ardhmen ai fëmijë do të shndërrohet në një rritur që do të jetë arsyeja e dokumentimit të gjenocideve, dhunimeve e masakrave në shtatë luftërave.

“Në Prishtinë ose në Kosovë kanë qenë krejt rreth 4-5 fotografë. Si i vogël baba më dërgoi që ta mësoja zanatin e fotografisë kur isha 13 vjeç. Atëherë kalonte 1 ose 2 vjet derisa e mësoje zanatin, nuk paguheshe, punësoheshe pa të holla. Kur e mësova mirë fotografinë, mora të hollat e para, si 13 vjeçar u pagova dhe kur kthehem e mendoj nuk e di nëse ka qenë bash dashuria ndaj fotografisë apo të hollave arsyeja që ia fillova këtij profesioni. Shkollën fillore e të mesme e kam kaluar në këtë mënyrë, një pjesë në shkollë pjesën tjetër duke u marrë me fotografinë dhe kamerën. Pastaj Televizioni i Prishtinës kishte nevojë për kameraman dhe unë fillova punën aty. Pas përfundimit të gjimnazit shkova në Beograd aplikova në fakultetin e arteve atje. Nga komunitetet jo serbe pranoheshin veç 6 studentë, unë isha njeri ndër ta dhe ndoshta ky është njeri nder momentet më të lumtura në jetë”.

Sylejman Kllokoqi ka një rrëfim për nënën që vetëvritet, për djalin që u detyrua të dalë në front kundër babës së tij, për vajzën që e dhunuan ish shokët e klasës në luftën e Bosnjës, për njeriun që mbeti i mbyllur 2 vite në bodrum dhe natën e parë që doli e kapi bomba. Kllokoqi është dëshmia e masakrës së Reçakut, Abrisë, Prekazit e gjithë Kosovës.

Sylejman Kllokoqi dokumentoi shtatë luftëra por ajo që rrëfen ai mban në epitaf njerëzorën, bukën, ujin, fëmijën, nënën, një lutje të rreme, një ligj të natyrës që është i vetmi arsyetim që ai doli gjallë kur shpesh ishte bri me vdekjen.

“Në Bejrut përfundova në një spital amerikan, bombardimet e lëkundnin shtratin, është fuqia e natyrës që me shpëtoi se kjo ndryshe nuk shpjegohet”.

Në njërin nga rrëfimet tek libri ‘Me kamerë në shtatë luftëra’, Kllokoqi ndan një histori të ndjeshme me djalin e tij, asokohe të porsalindur.

“Shumicën e luftërave kam qenë vetë, u martova më vonë dhe krijova familje, pastaj ishte shumë më e vështirë, sepse kur nisesha për raportim nuk ishte më njësoj, mbrapa lija familjen dhe tash përgjëgjësia ishte shumë më e madhe. Djalin e lija në gjumë e gjeja në gjumë, filloi mos t’më njihte dhe kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë”.

Njeriu që me profesionin e tij luftoi kundër një të keqeje të madhe, e mësoi që ia doli, kur tash arrin të rrëfejë këtë që po e shkruajmë.

Ajo luftë e tij janë 2 vitet në Bosnjë, kur një djalosh i ri ia vendosi armen në kokë duke iu dridhur gishtërinjtë, kur u mbulua në kufoma veç 3 metra larg tij, kur pa nënën boshnjake që vari veten sepse nuk kishte bukë për fëmijët e saj.

Rrëfimi i nënës dhe vajzës që u dhunua në Sarajevë

“Bosnja ishte një shtet shumë pro-jugosllav, ka qenë shumë e vështirë në atë periudhë ta dalloje boshnjakun nga serbi (myslimanët nga të krishterët). Kur filloi lufta unë isha në Sarajevë erdhi një lajm se disa refugjatë janë duke hyrë në Srebrenicë prej disa fshatrave të Sarajevës, vrapova me kamerë me i prit në anën e Sarajevës. Ky ishte momenti kur erdhi nëna dhe vajza e saj, rrëfimi i të cilave është në libër. Unë i ndala pa e ditur historinë e tyre, pyetja e vetme që nxiti rrëfimin e tyre ishte një pyetje e thjeshtë, pyetje që nuk e dija se do të çonte në një rrëfim të tillë, gjithçka që i pyeta ishte: nga vini? U ulën para kamerës dhe nëna e filloi rrëfimin e para, ‘Ma kanë dhunu vajzën, e kanë marrë ish shokët e klasës’. Shkolla ishte e përbashkët për të gjithë, mësohej në një gjuhë. ‘’E fsheha vajzën nën krevat por e gjetën’, vajzën e kanë mbajt 1 muaj.

Rrëfimi i vajzës: ‘Me kanë zhvesh, siç më ka ba nana, në atë mënyrë më detyronin tu shërbeja alkool ata luanin letra, pastaj në bazë të dëshirave, secili prej tyre me merrte me dërgonte në dhomën tjetër e më dhunonte’.

U shokova nga një intervistë e tillë, deri në atë moment nuk kisha dëgjuar histori të rrëfyera nga vetë një vajzë e dhunuar. Ato me lejuan që këtë material ta publikoja me pas”.

Kllokoqi nuk i ka takuar më as vajzën as nënën e saj, nuk di çka ka ndodhur me to pastaj.

Pikërisht e kemi fjalën kur themi se Kllokoqi nuk ishte thjesht reporteri i luftës.

Sylejman Kllokoqi kur rrëfen për historinë e tij, nuk mund ta fshehë trishtimin që kishte përjetuar përmes syve të fëmijëve e grave në Sarajevë.

“Burri e merr pushkën dhe shkon në front, në front sado e vështirë të jetë pak bukë ke, një copë bukë. Nana s’ka, nana që kujdeset për fëmijët është pa bukë. E njoh një grua në Sarajevë që nuk ia doli të kujdesej për fëmijët dhe e vari vetën”.

Metamorfoza e Kafkes, nga absurdja në realitet, përmes syve të Sylejman Kllokoqit

“Një fqinj që nga momenti i parë kur ka filluar lufta ishte futur në bodrum, nuk ka dalë asnjëherë. Është për çudi, nuk e harroj asnjëherë se si fytyra filloi t’i dukej e çuditshme, si një mi. Në Sarajevë nuk kishte ujë, sa herë binte shi shkonim e mblidhnim. Ai mbeti mbyllur dy vjet. Në një mbrëmje të qetë që po binte shi doli natën të siguronte ujë, në atë moment ra bomba dhe e mbyt”.

Lufta e ushtarit është e vështirë në front, por lufta tjetër që bëhet për një pikë ujë e një copë bukë është shumë më e vështirë.

Kur u ktheva nga Sarajeva, dëshiroja të jetoja me kafshët

“Të gjithë mendonin që lufta nuk do të zgjasë, prandaj ushqimin nuk e ruante në fillim aq asnjëri, vjen dita dhe haptas njeriu për njeriun shndërrohet në ujk, për shkak të një cope buke. Mbanin ushqim fshehurazi, e ruanin për vete secili, ishte instinkt mbijetese, kjo luftë është terrorizuese”.

Dhe në fund mbetet veç njëri

“Unë kam menduar 100% që do të vdes atje, çdo ditë i humb nga 5 shokë, çdo mëngjes janë 10, çdo mbrëmje ngelin veç 5. Ti në mënyrë të pavetëdijshme e pret radhën. E di që u kam thënë shpesh herë miqve, nëse vdes tregojani varrin prindërve të mi”.

Kosova dhe Bosnja në një paralele

“Vuçiqi tentoi t’i fusë forcat në Mitrovicë këto kohë, me idenë se Mitrovicën do ta marrë KFOR-i, njëjtë si në Bosnjë, ama ka një dallim. Kosova nuk është Bosnjë, tek ne është fuqi NATO, jo Kombet e Bashkuara. Në Bosnjë Kombet e Bashkuara asnjë plumb nuk e kanë hedhur kundër serbëve, aty ku është fut Serbia, Kombet e Bashkuara ia kanë lejuar”.

Teoria e mbijetesës – të gjuash me kamerë

Nga masakra në masakër, nga Sarajeva në Kosovë. Sylejman Kllokoqi ka një teori se si shpëtoi, ama koncepti i vdekjes në sytë e reporterit nuk ka qenë i njëjti gjithmonë. Sytë e frikës së fëmijëve në Sarajevë, mungesa e bukës dhe ujit, herezia e njerëzve për të mbetur gjallë, shkundën formimin e ‘reporterit fantazmë’.

“Friken e kam lënë në Sarajevë, kur kam ardhur në Kosovë nuk i jam frikësuar vdekjes. Jeta në Bosnjë me ka miqësuar me njerëzit e vdekur, prandaj veten e llogarisë mes të vdekurish. Është absurde ama nganjëherë mendoj se jam i vdekur dhe jetoj në një tjetër realitet. I kam dhënë vetes detyrë kur kam ardhur në luftë në Kosovë, nuk do ta njoh frikën. Do ta paraqes për botën terrorin përmes kamerës. Unë nuk di me gjujt me armë unë gjuaj me kamerë ama arma ime është më e fortë se pushka, kjo u dëshmua më vonë”.

Dyert që nuk hapeshin

“Në Obri ju kam trokitur shumë dyerve, për t’mu hapur veç njëra prej tyre. Njerëzit ishin të frikësuar të terrorizuar. Ishte hera e parë që kisha veshur antiplumb. Kam parë nënën në mes e dy fëmijët e vdekur bri saj, me cuculla me gjak, kam xhiruar pamje të tmerrshme, koka të ndamë nga trupat”.

Ky xhirim e bëri efektin e vet në botë. Pas xhirimeve policia e asokohe e morën Kllokoqin e torturuan, donin ta ndërronte versionin. Siç thotë vetë ai nuk do të ishte gjallë nëse nuk do të punonte për agjensione botërore.

“Erdhi misioni i William Walker, misione ndërkombëtare. Ishte pikë kthese, populli filloi të frymojë, ishin të bindur që gjenocidi nuk vazhdon pasi bota po i hapte sytë”.

Dikush e shpëtoi Sylejman Kllokoqin, ishte një grua nga Peja që asokohe punonte në Hotel Grand.

“Pas rrahjes prisja vdekjen. Shtabi i mediumeve atëkohë ishte në Grand. Nuk e harroj kurrë atë ditë që njëra nga kamarieret tek po shpërndante ëmbëlsirat erdhi e më tha ‘kanë planifikuar të të vrasin, ik!’”.

Për xhirimet e Reçakut, autori i tyre thotë së ishte i dëshpëruar e gëzuar njëkohësisht, i dëshpëruar që po ndodhte, i gëzuar që dërgoi ato xhirime në botë, ata po e shihnin çka po ndodhte. Në një formë a tjetrën këto pamje i sollën bombardimet e NATO-s.

Xhirimet që autorit i mbeten peng pa i realizuar

Masakra e Izbicës dhe ngjarja dëshpëruese në Bosnjë, janë dy pengjet e Kllokoqit.

“Në Bosnjë, e bëra veç gjysmën e filmit. Familjet e përziera, një djalë e kishte babanë serb, nënën boshnjake. Kur filloi lufta babai u rreshtua me serbët, djali me boshnjaket. Babë e djalë u vendosën në front në dyluftim, armiq të njëri-tjetrit. Unë mbaja xhirime nga ana boshnjake, djali më tha po e pres ditën kur më duhet ta vras babën, në anën tjetër nuk arrita të marrë pamje nga ana e babait se nuk lejohej. Është një skenar mbetur në gjysmë nuk arrita t’i marrë dy pamjet”.

A po tensionohet situata në Bosnjë

“E dua Kosovën. Por të jesh dy vjet e gjysmë në Sarajevë në kohë lufte, nuk mundem ta harroj. Situata atje duket e tensionuar tash, mendoj se nuk ka shenja të mira atje tani për tani. Serbët ushqejnë njerëzit atje me propagandë që shumë e shumë vite. Ata ende mendojnë se kudo që ta vendosin këmbën është e tyrja. Bosnja nuk e ka merituar këtë gjenocid”.

Prej njerëzores te pengu

Sylejman Kllokoqi mbetet historia jonë, historia e njerëzores në Ballkan, ndërgjegjja kolektive e munguar në shtatë luftëra.

“I vetmi peng që e kam tash është që nuk jam ende i ri dhe ta bëjë prapë atë që kam bërë”.

Fundi i filmit

Fëmija 13 vjeç i cili mësoi fotografinë e kamerën në rrethana tjera dhe i përdori në tjera rrethana priti dyert e shtëpive në Obri që t’i hapeshin për t’i hapur Kosovës rrugët drejt çlirimit.

Buka, uji, varja e një nëne, metamorfoza në bodrumin në Sarajevë, dyluftimi i babës me të birin e rrëfimi i vajzës së dhunuar e dërguan Kllokoqin në labirinte, në udhëkryqe të jashtëzakonshme për ta shkundur në mendjen e tij idenë për jetën dhe vdekjen.

E nëse jeta e tij do të shndërrohej një ditë në film, Sylejman Kllokoqi do të dëshironte që ky film të mbyllej me këto pamje:

“Filmi të përfundonte me Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Fundi me qenë me Kosovën e ëndrrave, Kosovën pa varfëri, të fuqishme”.

/GazetaSinjali/