image Njëri nga prokurorët e lënduar në aksidentin në Gjakovë shtrihet në Kirurgji, dy të tjerët lirohen nga spitali

Shëndetësi

Njëri nga prokurorët e lënduar në aksidentin në Gjakovë shtrihet në Kirurgji, dy të tjerët lirohen nga spitali

news image

Një automjet zyrtar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë është përfshirë sot në një aksident trafiku me një veturë tjetër në fshatin Qerim të Gjakovës, me ç’rast u lënduan katër persona, 3 prokurorë dhe shoferi i veturës tjetër.

Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala në një prononcim për Sinjalin tha se tre prokurorët e lënduar janë trajtuar në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës, ku dy prej tyre kanë pësuar lëndime më të rënda, ndërsa tjetri ka marrë lëndime të lehta.

Sinjali ndërkohë ka mësuar nga burimet brenda spitalit, se dy nga tre prokurorët e lënduar, si dhe shoferi i njërës veturë janë liruar nga Emergjenca, derisa trajtim mjekësor po vazhdon të marrë njëri prokuror.

Burimet thonë se i njëjti po trajtohet në repartin Kirurgjik, për shkak të lëndimeve që ka pësuar në momentin kur veturat janë përplasur.

Aksidenti dyshohet se u shkaktua pasi nga pakujdesia e shoferit të veturës Golf, i cili derisa ka qenë në lëvizje, ka bërë kthim majtas në mënyrë të pasigurt dhe në atë moment është përplasur me automjetin zyrtar, i cili ka qenë duke lëvizur përballë.

/GazetaSinjali/