image Një 68 vjeçare me simptoma të Covid-19 ankohet se nuk u trajtua në QKMF-në e Malishevës

Kosovë

Shëndetësi/ Një 68 vjeçare me simptoma të Covid-19 ankohet se nuk u trajtua në QKMF-në e Malishevës

news image

Me ethe, temperaturë dhe tension të lartë në orët e mbrëmjes së të mërkurës një paciente nga Malisheva ishte dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare të qytetit.

Por familjarët e pacientes kanë rrëfyer për trajtimin që i është bërë asaj në këtë qendër.

Sfida tjetër për familjarët ishte transportimi i saj për në Klinikën Infektive në Prishtinë.

E gjithë bartja e saj, sipas mbesës A.H., ishte bërë nga familjarët, derisa edhe nga Klinika Infektive për në Pulmologji ata e kishin transportuar me veturë private, përkundër faktit se pacientja dyshohej se ishte e prekur nga Covid-19.

Por, drejtori i QKMF-së në Malishevë, Nuhi Morina, ka mohuar se kjo paciente nuk ishte trajtuar si duhet në këtë qendër.

Morina ka thënë se i vetmi konflikt i familjarëve ishte me shoferin e autoambulancës, i cili kishte refuzuar ta fuste pacienten në Klinikën Infektive, raporton Koha.

Por, mjekët e Klinikës Infektive kanë thënë se nuk kanë informacione për rastin.

Ndërsa, drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, përmes telefonit ka thënë se 68-vjeçarja është në observim në Klinikën e Pulmologjisë në pritje të rezultateve për Covid-19.