image Nisin hetimet për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi

Drejtësi

Nisin hetimet për vdekjen e 23-vjeçares nga Drenasi

news image

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka nisur hetime për rastin e vdekjes së 23-vjeçares nga Drenasi, për të cilën ka reaguar Qendra Klinika Universitare e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

 “Lidhur me rastin për të cilin keni kërkuar informata, mund t’ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë, konkretisht Departamenti i Krimeve të Rënda, është duke e trajtuar rastin në fjalë”, bëri të ditur Ulaj për Sinjalin.

Në reagimin e Klinikës Emergjente thuhet se vdekja e 23-vjeçares nga fshati Zabel i Drenasit është si pasojë e hemorragjisë intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik.

“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I ( 1998), nga  fshati Zabel i Drenasit, sqaron se,  pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra  e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së  vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar. Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka  ndërmarrë masat reanimatore,  pacientes i  bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat  tjera mjekësore”, thuhet në reagim.

Tutje, thuhet se familjarët e viktimës kanë refuzuar obduksionin.

“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente,  pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45. Diagnoza përfundimtare e vdekjes  ishte  hemoragjia intraabdominale (   gjakderdhje në bark), shok hemoragjik. Familjarët kanë refuzuar abduksionin”, thuhet në reagim.

Ndryshe, daja i saj Haxhi Xhemajli nga Drenasi po pretendon se mbesa e tij, Zarife Imeri, 23-vjeçare, ka ndërruar jetë për shkak të vaksinimit.

Ai thotë se mbesa e tij është vaksinuar në Qendrën e Vaksinimit në Drenas, më 13 shtator rreth orës 15:29 dhe 48 orë më pas, ka ndërruar jetë.

“U detyrove të vaksinohesh që të qëndron në vendin e punës. Ajo vaksinë pas 48 orësh të shkaktoi vdekjen. Mos na detyroni, mos na kushtëzoni. Prehu në paqe, mbesa jonë”, shkroi ai në Facebook.

/GazetaSinjali/