image Nis procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Kosovë

Zgjedhjet/ Nis procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare

news image

Prej orës 07:00 ka nisur votimi për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote do të kenë mundësi për të votuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, brenda 12 orëve, përkatësisht deri në orën 19:00.

Në gjithë Kosovën është paraparë të hapen 895 qendra votimi me rreth 2 mijë vendvotime, derisa numri i votuesve është rreth 1 milion e 938 mijë.

Për herë të parë do të kenë mundësi të votojnë 87 mijë votues.

Procesin zgjedhor që udhëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do ta vëzhdojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Policia dhe Prokuroria e Shtetit do të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë: shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane.

Ndërsa, në këto zgjedhje, postin e kryeministrit po e synojnë 7 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike.

Partitë politike për 10 ditë kanë prezantuar ofertat e tyre para simpatizantëve të partive të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës./Gazeta Sinjali/