image Ngritet aktakuzë, prokuroria kërkon dënimin e Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit

Drejtësi

Ngritet aktakuzë, prokuroria kërkon dënimin e Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut për vrasjen e Marigona Osmanit

news image

Vrasja e Marigona Osmanin, 18-vjeçare nga Ferizaj në gushtin e vitit të kaluar pati tronditur vendin.

Ajo dyshohet se fillimisht u dhunua fizikisht e psiqikisht nga ish i dashuri i saj Dardan Krivaça, i ndihmuar edhe nga Arbër Sejdiu.

Tashmë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit

Sipas Prokurorisë ‘ekziston dyshimi i bazuar, se më 22 gusht 2021, i pandehuri Dardan Krivaça, në banesën e tij me dashje e në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë më parë kishte ushtruar dhunë psikike e dhunë fizike, derisa e ndjera kishte ndërruar jetë’.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaça, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndërsa, sipas Prokurorisë i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit nga neni 227 paragrafi 4 nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet tutje në njoftim.

/GazetaSinjali/