image Nesër intervistohet në Hagë, Thaçi: Vendimi për themelimin e Speciales ishte strategjikisht i drejtë

Politikë

Nesër intervistohet në Hagë, Thaçi: Vendimi për themelimin e Speciales ishte strategjikisht i drejtë

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se vendimi për themelimin e dhomave të specializuara ka qenë një padrejtësi historike, por ai e ka cilësuar si vendim strategjikisht të drejtë.

Ai ka thënë se besimi në aleatët e vendit duhet të jetë të palëkundur veçanërisht në aleatët që kanë ndihmuar për të fituar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“E di se ka qenë një padrejtësi historike kur janë themeluar këto dhoma të specializuara por dua të theksoj edhe sot se ka qenë një vendim shumë i rëndë i Kuvendit të Republikës së Kosovës por një vendim strategjikisht i drejtë sepse ne duhet çdo rrethanë pavarësisht sakrificave që kemi paguar më herët dhe që përballemi edhe sot, besimi në botën perëndimore veçanërisht në aleatët tanë që na ndihmuan për të fituar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me SHBA, NATO-n dhe BE duhet ta kemi të palëkundur dhe në anën tjetër kemi pasur mundësinë o të vazhdojmë me NATO-n, SHBA e BE ose te mbetemi në duart e vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe kjo çështje e Dhomave të Specializuara të Bartet në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Thaçi tutje ka thënë se ia kanë prerë rrugëtimin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sipas tij, jo edhe besimin në vlerat e SHBA-së dhe botës perëndimore.

Thaçi ka theksuar se udhëtimi drejt SHBA-së ka qenë një zotim  që  të punojnë për të arritur marrëveshjen e paqes.

“Është e vërtetë, ne para disa ditësh kur ndodhi njoftimi publik nga dhomat e specializuara për mundësinë e ngritjes të aktakuzës ndaj meje dhe ndaj kryetarit Veseli ka qenë një udhëtim dhe zotim i yni që të shkojmë në Shtëpinë e Bardhë që të punojmë ngushtë me SHBA në mënyrë që të arrimë marrëveshjen e paqes, të mirëkuptimit dhe pajtimit që i hap një perspektivë të sigurt Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor. Prandaj e theksoj atë rrugëtim e prenë apo e ndërprenë por besimin në vlerat e SHBA dhe botën perëndimore nuk mund ta lëkundë askush”, ka thënë Thaci për TCH.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së sotme nga aeroporti “Nënë Tereza” është nisur drejtë Hagës ku do të intervistohet gjatë ditës së nesërme. /Gazeta Sinjali/