image “Nëse ndahemi, vdesim dytë”/ Prishtinasi në lidhje jashtëmartesore që 7 vite, gruaja e denoncon për dhunë e kërcënime

Siguri

“Nëse ndahemi, vdesim dytë”/ Prishtinasi në lidhje jashtëmartesore që 7 vite, gruaja e denoncon për dhunë e kërcënime

news image

Tradhtia, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në shumë familje në Kosovë. Një rast i tillë që dyshohet se ka ndodhur për vite me radhë është denoncuar të hënën në mbrëmje, në njërin nga stacionet e Policisë në Prishtinë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për një rast të dhunës në familje, ku viktimë është një 44-vjeçare, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën që ia ka shkaktuar para dy muajsh. Por problemet mes çiftit datojnë shumë më herët.

Sinjali mëson se në bazë të dëshmisë së viktimës të dhënë para hetuesve policorë është kuptuar se palët kanë probleme me njëri-tjetrin që shtatë vite. Sipas 44-vjeçares, raportet e tyre u krisën kur ajo e kuptoi se burri nisi një lidhje jashtëmartesore. E pashpresë se gjërat mund të ndryshonin për gjithë këto vite kur thotë se iu prish harmonia në familje, ajo vendosi që ta njoftojë Policinë.

Përveç sulmeve fizike, e dhunës psikike që ka përjetuar, viktima ka rrëfyer para zyrtarëve policorë se edhe është kërcënuar nga bashkëshorti, në momentin që nisën diskutimet për divorc.

I dyshuari i ka thënë asaj se nëse ndahen, atëherë nuk do ta pësojë keq vetëm njëri, por të dy së bashku. Fjalët e tij se “nëse ndahemi, do të vdesim të dy”, e shokuan dhe e shqetësuan gruan në masë të madhe.

Pas dëshmisë që ajo dha në stacion policor, Policia ka ftuar për intervistim burrin e dyshuar, që të përballet me denoncimin kundër tij.

Burimet e Sinjalit thonë se ende nuk dihet nëse i njëjti është arrestuar apo ndaluar, por që Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale “dhunë në familje”.

/GazetaSinjali/