image Ndonëse Kosova ka në dispozicion vetëm 38 mijë vaksina, faza e dytë e vaksinimit parasheh vaksinimin e mbi 130 mijë të moshuarve

Shëndetësi

Ndonëse Kosova ka në dispozicion vetëm 38 mijë vaksina, faza e dytë e vaksinimit parasheh vaksinimin e mbi 130 mijë të moshuarve

news image

Ndonëse shteti ka në dispozicion vetëm rreth 38 mijë vaksina, Ministria e Shëndetësisë i ka ftuar që të vaksinohen grupmoshat 65 deri në 79 vjeç. Në regjistrin e shtetit, statistikat thonë se Kosova ka mbi 130 mijë qytetarë të këtyre grupmoshave, transmeton Gazeta Sinjali.

Mosorganizimi i duhur i procesit të vaksinimit dhe mungesa e vaksinave, ka bërë që të krijohet tollovi para sallës “1 Tetori”. Shumë të moshuar kanë pritur në rend me orë të tëra për t’u vaksinuar apo për të siguruar numrin për të hyrë në rend. Pamjet ku shihen të moshuarit duke pritur para kësaj qendre janë bërë virale në rrjete sociale.

Tollovia aty zgjati për disa orë. Krejt kjo për shkak të mos organizimit të duhur të procesit të vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe numrit të vogël të vaksinave që vendi aktualisht ka në dispozicion.

Ndonëse shteti ka në dispozicion vetëm rreth 38 mijë vaksina, Ministria e Shëndetësisë i ka ftuar që të vaksinohen mbi 130 mijë të moshuar të grupmoshave 65 deri në 79 vjeç.

Përveç të moshuarve, me këto doza të vaksinave është paraparë edhe vaksinimi i personelit shëndetësor që ka mbetur pa vaksinuar, personat e mbetur me sëmundje kronike, mësuesit dhe forcat e sigurisë të përfshira drejtpërdrejt në menaxhimin e COVID-19.

Së paku kështu thuhet në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 të hartuar nga MSH-ja, i cili nuk është se po zbatohet në përpikmëri. Kjo meqenëse ende s’janë vaksinuar ende të gjithë ata që janë paraparë të imunizohen në fazën e parë. 

Pavarësisht se imunizimi është në fazën e dytë, ende ka persona mbi moshën 80-vjeçare që s’janë vaksinuar dhe personel shëndetësor.

Se vaksinimi nuk është duke shkuar sipas Planit për Imunizim e ka thënë edhe ish Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Në një konferencë për media, ai është ankuar se ky plan ka mbetur vetëm në ueb faqen e ministrisë dhe se i njëjti nuk është vënë në praktikë.

“Plani i imunizimit nuk është respektuar, nuk është marrë parasysh. Ka mbetur ashtu siç e kemi lënë në ueb faqen e MSh-së. Sot në të gjitha QKMF-të e Kosovës kanë qenë të përgatitura për marrjen e vaksinave. Vaksinat nuk kanë shkuar. Ka kërkesa që nga ky çakordim total janë drejtuar për në Prishtinë e që nuk është dashur që të ndodhë”, ka thënë Zemaj.

Ndryshe, për tollovinë e krijuar sot te “1 Tetori”, Ministria që udhëhiqet nga Arben Vitia, ua ka lënë fajin qytetarëve të komunave të tjera për këtë çështje.

“Grumbullimet e krijuara sot para sallës “1 Tetori”, vjen si pasojë se aty kanë ardhur të vaksinohen qytetarë edhe nga komunat e tjera, përkundër njoftimeve të bëra ditëve të kaluara dhe dje se qytetarët do të vaksinohen në komunën e tyre. Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ministria ka apeluar te qytetarët e komunave të tjera që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre.

“Me që vaksinimi kundër COVID-19 është proces dinamik që do të vijojë deri në vaksinimin e të gjitha kategorive të parapara në Planin e vaksinimit, luten qytetarët që të përcjellin njoftimet e MSh-së dhe t’i shmangin grumbullimet para qendrave të vaksinimit përderisa mundësia e vaksinimit do të jetë e hapur çdo ditë në secilën komunë”, thuhet në njoftim. /Gazeta Sinjali/