image Ndikimi i pandemisë në ekonomi, gastronomët të shqetësuar me reagimin e shtetit

Biznes

Ndikimi i pandemisë në ekonomi, gastronomët të shqetësuar me reagimin e shtetit

news image

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka reaguar duke thënë se janë jashtëzakonisht të shqetësuar me rolin e shtetit dhe politikat e tij lidhur me menaxhimin e ndikimit të pandemisë në ekonomi.

Kjo shoqatë, nëpërmjet një reagimi publik, ka theksuar se edhe më shumë shqetësues është fakti se po rrezikohet të përsëriten gabimet që kanë pasur mundësi t’i kuptojnë nga viti 2020, për vitin 2021.

Duke bashkërenduar politikat shtetërore me shoqatat dhe odat e sektorit privat, mund të marrim vendimet më të përshtatshme për menaxhimin e pandemisë dhe ekonomisë, në të kundërt humbës do jemi të gjithë dhe e vetmja zgjidhje mbetet dalja në rrugë”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me rolin e shtetit dhe politikat e tij lidhur me menaxhimin e ndikimit të pandemisë në ekonomi!

Edhe më shumë shqetësues është fakti se po rrezikojmë t’i përsërisim gabimet që kemi pasur mundësi ti kuptojmë nga viti 2020, për vitin 2021.

Kosova është ndër vendet që ka bërë kompromiset më të mëdha në rajon sa i përket humbjes së punëtorëve dhe mbylljeve të bizneseve në vitin 2020. Paradoksalisht, pas masave të aplikuara të cilat kanë qenë ndër më të ashprat dhe shtrëngueset, të fundit në rajon arritëm të bëjmë sigurimin e dozave modeste të vaksinave Anti-Covid.

Krahasimisht me disa nga vendet në rajon, padrejtësisht ende qëndrojmë me masat të ashpra.

Përderisa temperaturat kanë filluar të rriten dhe po shkelim në pjesën e dytë të vitit apo sezonën e verës (më të rëndësishmen për ekonominë e secilit vend në rajon), dhe shohim që vendet tjera garojnë me njëra-tjetrën që të sanojnë problemet e shkaktuara nga pandemia, Kosova nuk i’a ka as idenë më të vogël rreth strategjisë së Turizmit në këtë periudhë i cili ka rënie mbi 93%.

Shumica e vendeve të rajonit këtë garë e bëjnë për një arsye shumë të thjeshtë, sepse sektori i prodhimit vjen pas sektorit të tregtisë dhe shërbimeve, ashtu siç është edhe në Kosovë.

Është evidente që ndikimi i pandemisë duke prekur sektorin e fuqishëm të shërbimeve, në mënyrë zingjirore edhe më shumë prekë edhe sektorët e tjerë shumë të rëndësishëm të ekonomisë.

Me trendin që është duke vazhduar qasja e institucioneve tona, pa vizion dhe pa plan për sezonën e verës, po rrezikojmë që të humbim mundësinë më të mirë që ekonomia jonë të këndellet deri në një shkallë nga goditjet që i janë shkaktuar.

Në rajon gastronomia është duke u këndellur, janë duke planifikuar për t’i hapur edhe domenet tjera të saj që janë sallat e dasmave, klubet e natës, dhe organizimin e festivaleve.

Në Kosovë në vitin e kaluar mbi 100 milion euro kanë humbur vetëm si rrjedhojë e mosorganizimit (me të drejtë) të ahengjeve familjare, ku shumica prej tyre janë shtyer për vitin tjetër.

Në këtë vit situata ka ndryshuar, sepse këto 100 milionë euro të pezulluara në vitin paraprak, nuk do të humbin këtë vit. Nuk do të shtyhen organizimet e këtyre ahengjeve siç kanë ndodhur në vitin e kaluar, ato do të mbahen në vendet ku është i mundur organizimi i tyre.

Për këtë të fundit e kemi shembull Shqipërinë, e cila jo vetëm se arriti të sigurojë doza shumë të mëdha të vaksinave, por ka filluar me vaksinimin e gastronomisë dhe hotelerisë.

E njëjta së bashku me Malin e Zi (i cili pësoi një rënie të theksuar ekonomike në vitin e kaluar) mundësuan që në këtë vit të organizohen ahengjet familjare, të hapen festivalet dhe klubet e natës. Sepse për t’i hapur të njëjtat kërkohet kohë dhe përgaditje.

Pra, këto dy vende janë duke e shfrytëzuar çdo rast për të evituar dhe zbutur dëmet në ekonomi, ndërsa Kosova po rrezikon që të thellohet edhe më tepër në gropën që e ka krijuar!

Duke bashkërenduar politikat shtetërore me shoqatat dhe odat e sektorit privat, mund të marrim vendimet më të përshtatshme për menaxhimin e pandemisë dhe ekonomisë, në të kundërt humbës do jemi të gjithë dhe e vetmja zgjidhje mbetet dalja në rrugë!./Gazeta Sinjali/