image Ndalohet edhe një person në rastin “Brezovica”

Siguri

Ndalohet edhe një person në rastin “Brezovica”

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, të dyshuarin R.M., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale në bashkëkryerje “Marrja e ryshfetit”, raporton Gazeta Sinjali.

I njëjti dyshohet se ka ndërmjetësuar në marrjen e ryshfetit për zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH-së), së bashku me Z.G., dhe A.X., për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe ujore, duke marr rreth shtatëdhjetë (70.000) mijë euro nga investitorët në vikend zonën e Brezovicës.

Po ashtu, vlen të theksohet se i njëjti R.M., gjatë zbatimit të urdhër kontrollit për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellëse, në aksionin “Brezovica” të datës 26 Maj 2022. ku, me ç’rast  janë kontrolluar dhe bastisur gjashtë (6) lokacione të ndryshme, i njëjti nuk është gjetur në shtëpinë e tij, ndërsa, sot, është arrestuar në vendkalimin kufitar në Vërmicë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit do të paraqesë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj. 

Ndryshe, në muajin maj ishin arrestuar edhe ish sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi si dhe Xhevdet Shala, Bekim Pireva dhe Islam Fejza.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/