image Nagavci: Ndërprerja e mësimit për shkak të pandemisë s’duhet të përsëritet

Arsim

Nagavci: Ndërprerja e mësimit për shkak të pandemisë s’duhet të përsëritet

news image

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka thënë se respektimi i masave anti COVID dhe kujdesi i shtuar, sigurojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Sipas saj, nuk duhet të përsëritet ndërprerja e mësimit, por thotë se duhet t’u përmbaheni kërkesave dhe propozimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

“Që nga shfaqja e COVID-19, fëmijët kanë përjetuar një fëmijëri dramatikisht të ndryshme që do ta mbajnë mend gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë humbur orët mësimore, janë përballur me stres e presion të jashtëzakonshëm, ndarjen nga shokët, shoqet e mësuesit/et, dhe janë ballafaquar me mungesën e rutinës ditore. Si në shumë vende të tjera nëpër botë, edhe Kosova po vazhdon një vit tjetër shkollor në kushte të COVID-19. Ndërprerja e mësimit s’duhet të përsëritet”.

“Task Forca për menaxhimin e pandemisë COVID-19 në MASHTI, sot ka mbajtur takimin e radhës dhe ka dhënë disa rekomandime, me theks të veçantë në respektimin me përpikëri të masave anti-COVID-19 nga të gjithë akterët e përfshirë në sistemin edukativ-arsimor (prindërit, nxënësit, mësimdhënësit, drejtoritë e shkollave, DKA-të, etj.), sipas udhëzimeve të IKSHPK dhe në përputhje me gjendjen epidemiologjike në vend”.

“Përfaqësuesit e IKSHPK-së, gjatë takimit, kanë ritheksuar nevojën e vaksinimit dhe respektimit rigoroz të masave parandaluese kundër pandemisë, në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe të sigurohet mbarëvajtja e mësimit. Që fëmijët të vazhdojnë të mësojnë, ne të gjithë duhet të respektojmë dhe zbatojmë masat mbrojtëse për COVID-19. Ky brez nuk mund të përballojë më ndërprerje në arsimin e tyre, prandaj ne duhet t’i mbajmë shkollat ​​hapur. Nga kjo varet e tashmja e fëmijëve tanë, e ardhmja e brezit të ri”, shkroi ajo në Facebook./GazetaSinjali/