image Molliqaj thotë se LVV e LDK nuk arritën marrëveshje për 'atë se kush po merr më shumë pushtet'

Politikë

Politikë/ Molliqaj thotë se LVV e LDK nuk arritën marrëveshje për ‘atë se kush po merr më shumë pushtet’

news image

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, një ditë para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dështuan të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re, të dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit.

Derisa Albin Kurti nga Vetëvendosje për dështimin e marrëveshjes kryekëput fajësoi partnerin negociues LDK-në, një ish-koleg i tij ka drejtuar akuza ndaj këtyre dy partive se po e mbajnë Kosovën peng njësoj sikurse kishte bërë dikur PDK, e cila tash është në opozitë.

“Për më shumë se dy vjet, VV dhe LDK kërkonin – me të drejtë – rrëzimin e qeverisë. Për më shumë se dy vite premtonin që për opozitën e atëhershme krijimi i një qeverie të ndryshimit do të jetë shumë i lehtë ngase ata nuk prishen për pozita e për pushtet. Por në fakt, VV dhe LDK nuk po duket të kenë asnjë dallim thelbësor nga qeverisja e kaluar”, shkruan Dardan Molliqaj në Facebook.

Kryetari i PSD-së, i cili mori këtë post jo shumë kohë më parë, nuk e ka lënë me kaq, por ka vazhduar kritikat duke thënë se VV dhe LDK kanë dëshmuar se pozitat janë më të rëndësishme se sa temat konceptuale qeverisëse.

“Asnjë mospajtim ta zëmë për arsimin, shëndetësinë, pensionet, ekonominë, etj, por mospajtime të patejkalueshme se kush po merr më shumë pushtet. Po e lënë të vazhdojë keqqeverisjen e kaluar duke mos rënë dakord në mes vete. Prapë, për pozita e pushtet, po lejojnë që të vazhdojë keqpërdorimi i buxhetit të shtetit nga qeveria në shkuarje. Tash e tre muaj po e mbajnë Kosovën peng të dëshirës së tyre për pushtet, njësoj siç dikur PDK-ja e mbante vendin të bllokuar për 6 muaj”, përfundon shkrimi i Molliqajt. /Gazeta Sinjali/