image Ministrja e Arsimit uron fëmijët për 1 Qershor: Ju jeni e ardhmja e vendit

Arsim

Ministrja e Arsimit uron fëmijët për 1 Qershor: Ju jeni e ardhmja e vendit

news image

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka uruar të gjithë fëmijët e Kosovës dhe mbarë botës me rastin e Ditës ndërkombëtare të tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se fëmijët janë pjesa më vitale dhe më e rëndësishme e një shoqërie, meqë nga ta varet e ardhmja prosperuese e një vendi.

Postimi i plotë:

1 Qershori është ditë feste për fëmijët. Me këtë rast, të gjithë fëmijëve këtu në Kosovë, e gjithandej në botë ua uroj këtë ditë, me dëshirën më të madhe që ditë si këto të shërbejnë për të festuar avancimin e drejtave tuaja. Ka gati një shekull që kjo ditë ka filluar të respektohet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe tradicionalisht 1 Qershori festohet në shumicën e shteteve. Fëmijët janë pjesa më vitale dhe më e rëndësishme e një shoqërie, meqë nga ta varet e ardhmja prosperuese e një vendi.

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve shërben edhe për të rritur vetëdijen tonë publike dhe për të fuqizuar edhe më shumë avokimin për të drejtat e fëmijëve. Ndër vite, organizatat ndërkombëtare kanë ndërmarrë shumë iniciativa të cilat kanë për qëllim rritjen e shkallës së përfshirjes të fëmijëve në arsim.

Më lejoni të theksoj që përkushtimi i institucioneve tona për avancimin e të drejtave të fëmijëve është i pandalshëm, dhe do të jetë i tillë në vazhdimësi, gjë që e reflekton korniza jonë ligjore e bazuar në instrumentet ndërkombëtare, veçanërisht Konventën për tё Drejtat e Fëmijës.

Në përputhje me legjislacionin aktual, MASHTI angazhohet që të sigurojë qasje gjithëpërfshirëse të arsimimit falas e cilësor, në bazë të mundësive të barabarta dhe pa diskriminim. Po ashtu, MASHTI ka për qëllim që të inkurajojë mësim-nxënien gjatë gjithë jetës, të zhvillojë respektin e fëmijës për identitetin kulturor dhe respektin për kulturat e ndryshme si diversitet e pasuri shoqërore.

Me integrimin e përmbajtjeve mësimore nga fusha e të drejtave të njeriut (fëmijëve) në sistemin tonë ne synojmë formimin e individit të aftë të jetojë në një shoqëri demokratike, të njohë dhe të përvetësojë vlerat themelore të demokracisë që mbështeten në respektimin e të drejtave të njeriut, të tolerancës dhe solidaritetit njerëzor. Bashkë me partnerët tanë sikurse UNICEF, Save the Children, e shumë të tjerë, jemi duke i trajtuar temat e ndjeshme për  të tejkaluar barrierat e mundshme në fushën e arsimit, por edhe elementet tjera  që mund ta cenojnë mbarëvajtjen e sistemit arsimor dhe të drejtat e  fëmijëve.

Kohëve tё fundit, në kohë pandemie, tё gjithë jemi përkushtuar dhe mobilizuar për organizimin e mësimit online, duke iu përshtatur kushteve të izolimit dhe duke synuar përmbushjen e detyrimit tonë karshi tё drejtës së secilit individ e veçanërisht secilit fëmijë për arsim. Brenda kësaj ndërmarrjeje të madhe jemi kujdesur për mësimin e të gjitha grup moshave që nga fëmijëria e hershme e deri te arsimi i lartë dhe jemi dëshmitar të punës sё madhe e tё mirё tё mёsimdhёnёsve tanë tё tё gjitha niveleve, përfshirë dhe mësimin nё distancё pёr fёmijёt me aftësi tё kufizuara. Gjithsesi urojmë t`i kthehemi sa mё shpejt normalitetit dhe fuqizimi i mësimit online do tё mbetet vlerë e shtuar e sistemit arsimor nё vazhdimёsi!

Fëmijë të dashur, me kënaqësi ju njoftoj që dyert e MAShTI-t do të jenë gjithmonë të hapura për t’ju pritur që së bashkë të festojmë arritjet tona të përbashkëta në fushën e të drejtave tuaja./Gazeta Sinjali/