image Ministria e Shëndetësisë organizon transportin e të vdekurve nga koronavirusi me një operator të ri

Kosovë

Ministria e Shëndetësisë organizon transportin e të vdekurve nga koronavirusi me një operator të ri

news image

Ministria e Shëndetësisë ka filluar të organizojë transportin e kufomave me një operator të ri, pasi që kompania e cila kishte kryer këto shërbime nga fillimi i pandemisë ka ndërprerë punën për shkak të mospagesës nga ana e MSH-së.

Gazeta Sinjali ka raportuar për këtë çështje, ku sipas kompanisë “Loti” e cila ishte caktuar t’i kryente shërbimet funerale për viktimat nga koronavirusi, puna është ndërprerë pasi nuk është kyer borxhi mbi 100  mijë euro për 352 raste ku kanë intervenuar.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Gazetën Sinjali se është caktuar një operator tjetër për bartjen e viktimave.

 “SHSKUK është në procedurë e sipër të kontraktimit të kompanisë për shërbimet mortore, derisa MSh është duke organizuar bartjen e kufomave me një operator tjetër, në koordinim me MPB dhe Inspektoratin Sanitar si organe përgjegjëse për monitorim të menaxhimit të këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e Divizionit të Komunikimit me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë.

Kompania “Loti”, sipas MSH-së është njoftuar paraprakisht për procedurat e pagesave.

“Sa u përket kompanive që merren me bartjen e kufomave, kompania paraprake është njoftuar me procedurat se si do t’i bëhet pagesa për mjetet të cilat nuk janë realizuar nga kontrata që ka pasur me Ministrinë e Drejtësisë-Departamentin e Mjekësinë ligjore dhe të cilat do t’i mbuloj MSh përmes MF për shërbimet e ofruara për menaxhim të kufomave”, thuhet tutje në përgjigje.

Shërbimet funerale janë kryer në bazë të një kontrate të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila është kërkuar të shfrytëzohen edhe gjatë pandemisë nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali, drejtori i IML-së, Arsim Gërxhaliu.

“Brenda institucioneve lejohet shfrytëzimi i kontratave, nëse një dikaster i shtetit nuk e ka një të tillë. Kontrata jonë është e lidhur kryesisht me natyrën e punës tonë. Ish-drejtoi i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, komiteti i emergjencave dhe Ministria e Shëndetësisë kanë kërkuar që të përdoret kjo kontratë. Ju kam treguar që mund të përdoret por që nuk kemi mjete të ndara për shërbime të tilla. Ministria e Shëndetësisë duhet ta përfundojë pagesën ndaj kompanisë “Loti”. Ne kontratën nuk mund ta ndryshojmë, ata e kanë kërkuar dhe e kanë shfrytëzuar. Më pas kanë thënë që kontrata të ndryshohet. Por këto vendime janë të ngutshme. Për mua është e palogjikshme kjo sepse kontratat mund të bëhen fleksibile në rast të krizave”, ka thënë Gërxhaliu.

Deri më sot në Kosovë, sipas Institutit të Shëndetësisë Publike janë regjistruar 269 raste të vdekjes si pasojë e koronavirusit. /GazetaSinjali/