image Ministri i Shëndetësisë viziton komunën me më së shumti raste të reja së fundmi

Shëndetësi

Ministri i Shëndetësisë viziton komunën me më së shumti raste të reja së fundmi

news image

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot Komunën e Vushtrrisë, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri.

“Sot kemi ardhur këtu që ta përcjellim një mesazh. Dhe mesazhi është se pandemia nuk ka përfunduar”, tha Zemaj.

Ai tha se “jemi bashkë me njerëzit kompetentë të cilët i quajmë luftëtarët kryesorë të luftimit të pandemisë të cilët me përkushtimin dhe punën e tyre ua kanë mundësuar qytetarëve të Vushtrrisë ta kalojnë pandeminë dhe t’u kthehen ditëve normale”, derisa rikujtoi se “Vushtrria është e njohur për menaxhim efikas, por infektimet kanë vazhduar”.

“Moskujdesi dhe mosrespektimi i rekomandimeve IKSHPK-së mund të na sjellin në regres. Mos ta humbasim sakrificën e të gjithë punonjësve të shëndetësisë”, tha Zemaj.

Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se po përballen me një situatë më të rënduar sa ai përket numrit të të prekurve me koronavirus.

Por, sipas tij, janë testuar mbi 500 qytetarë dhe qëndrojnë në vendin e parë për teste të kryera.

“Qëllimi ynë ka qenë mbrojtja e shëndetit të qytetarëve duke u ofruar mbështetje të vazhdueshme. Me Ministrin biseduam për masat që ka ndërmarrë Komuna e Vushtrrisë. U dakorduam që të plotësohet edhe stafi”.

Prezent në këtë takim ishte edhe drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, i cili tha se situata është nën kontroll. Por, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë t’i respektojnë masat.

“Shtabi Emergjent i komunës së Vushtrrisë ka bërë një punë të jashtëzakonshme me qëllim që vatrat të mos shpërthejnë. Rastet që janë në Vushtrri janë raste kontakti dhe raste të izoluara dhe do të bëjmë të pamundurën që këto raste të shërohen dhe të gjitha vatrat të mbulohen që të festojmë së bashku përfundimin e pandemisë”, tha Ramadani./Gazeta Sinjali/