image Milionat e ndara nga Qeveria nuk zgjidhin problemin e qenve endacakë

Sociale

Milionat e ndara nga Qeveria nuk zgjidhin problemin e qenve endacakë

news image

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë miliona euro për Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që të angazhohen për trajtimin dhe strehimin e qenve endacakë. Por që këta të fundit ende po fajësojnë nivelin lokal sepse sipas tyre kjo është kompetencë e komunave. Ndërsa nga organizata që merren me të drejtat e kafshëve thonë se projektet e parapara për trajtimin e qenve endacakë asnjëherë nuk u realizuan.

E qytetarët janë më të rrezikuarit nga numri i madh i qenve endacakë. Ata thonë se në vazhdimësi janë të rrezikuar nga qentë të cilët dita-ditës po bëhen më të rrezikshëm. Ata bëjnë përgjegjës Komunën e Prishtinës dhe AUV-in për mostrajtim të duhur ndaj kësaj problematike.

“Është shumë problematikë numër një, se për fëmijët nuk ka siguri në shkollë, s’ka siguri në shitore ose thjeshtë në rrugë, as para derës. Hiq më larg se dje janë futur në oborr timin. Komuna normal duhet me u marrë, ose AUV-i. Nuk mundemi ne si qytetarë me u marr me qentë në rrugë, ne i mbrojmë në shtëpi, por në rrugë qeni s‘vet”, ka thënë një qytetare.

“Ata duhet të jenë vetëm nëpër shtëpia të gjithë, se po i marrin si këlysh po i rritin pastaj si kanë kushtet me i mbajt ose diçka e i hedhin, ashtu është keq. Po tash ne qytetarët nuk e kemi kompetencë, e ka kompetencë komuna, tjetër nuk di, duhet m’i marrë m’i mbajt brenda secili, kish qenë vepër e mirë me i marrë me i mbajt secili prej neve”, ka thënë një qytetar tjetër.

Zëdhënësi i Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi në një prononcim për Kp potencoi se në vitin 2018 kanë marrë një buxhet lidhur me trajtimin e kafshëve me ç’rast kanë trajtuar rreth 15 mijë qenë.

Kurse gjatë vitit 2020 kjo agjenci ka trajtuar rreth 5 mijë qenë me të gjitha mjetet që i posedon AUV-i.

“Ne në 2018 kemi marrë një buxhet si fazë emergjente për trajtimin e qeneve endacakë, përderisa shumica e komunave nuk janë marrë që sipas ligjit u takon atyre të merren dhe ne në 2018 kemi bërë një projekt që kemi trajtua rreth 15 mijë qenë dhe gjatë gjithë kohës ne përveç trajtimit ne ju kemi shkrua letra komunave, Asociacionit që me këtë problematikë duhet të vazhdojnë të merren komunat që mos të vijmë përsëri deri te faza emergjente. Dhe ne duke parë se komunat përsëri nuk janë marrë me këtë problematikë dhe ne e kemi pa si të domosdoshme vazhdimin e projektit. Ne kemi ndarë projekte të tjera të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, vetëm e vetëm kjo politikë publike për trajtimin e qenve endacakë të vazhdohet dhe ne në vitin 2020 përsëri kemi trajtuar rreth 5 mijë qenë në të gjithë territorin e Kosovës. Po ashtu kemi hartuar draft-strategjinë të cilën u a kemi përcjell komunave dhe i kemi njoftuar mbi aktivitetet që ata duan të zhvillojnë dhe duhet nisen qysh tani”, ka thënë ai.

Kurse Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, i kujton AUV-it se kanë kërkuar qasjen në dokumente zyrtare, pasi thotë se nuk kishin asnjë informatë për fondet e miliona eurove që janë marrë për trajtimin e këtij problemi.

Ibrahimi thekson se projekti për trajtimin e qenve endacakë ishte i hartuar nga Ambasada Amerikane, por që këtë projekt e ka mbështetur edhe AUV-i pasi kjo e fundit mbulon tërë territorin e Republikës së Kosovës rreth këtyre çështjeve.

“Neve edhe një herë po themi që kemi kërkuar qasjen në dokumentet zyrtare nuk na është dhënë asnjë informatë se ku kanë shkuar ato miliona euro nga Agjencia e Veterinës të cilat i kanë marrë për trajtimin e këtij fenomeni. I kemi pas disa takime me Agjencinë e Veterinës në mënyrë që të kemi një trajtim të dinjitetshëm edhe të qenve endacakë, komunat janë zotuar që do të ndajnë edhe në të ardhmen ashtu siç kanë ndarë deri më tani por varësisht edhe prej kapaciteteve të komunave. Komunat janë më të fuqishme financiarisht, ndajnë mjete më shumë por përsëri në mënyrë parciale trajtimi i qenve endacakë nuk mund të bëhet. Nuk jemi si asociacion që të bartin fajin në atë derë ose në këtë derë, neve gjithmonë kemi qenë konstruktivë, kemi kërkuar që të kemi një trajtim serioz të këtij fenomeni në mënyrë që qytetarët të mos pësojnë dhe neve mendojmë që agjencia e veterinës padrejtësisht është duke e bartur fajin në nivelin lokal sepse ka marrë miliona euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës për trajtimin e këtij fenomeni dhe po shihet që rezultatet mungojnë, dikush besoj duhet të jep një lloj far përgjegjësie ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Ibrahimi.

Ndërsa Elza Ramadani nga organizata ”Fondacioni për të drejtat e kafshëve” thotë se në vendin tonë ka një mungesë të kampanjave informuese lidhur me qentë. Ajo fajëson AUV-in dhe Asociacionin e Komunave, të cilat sipas saj nuk kanë bërë sa duhet për trajtimin e qenve endacakë.

Ajo thotë se pavarësisht se janë ndarë miliona euro për projektet për këtë problematikë, asnjëherë nuk janë realizuar. /GazetaSinjali/