image Lojë me para të kompanisë

Kosovë

Keqpërdorim/ Lojë me para të kompanisë

news image

Ish- menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, i drejtuar nga Agron Mustafa duket se ka qenë mjaft i pasionuar për rekreacion dhe lojë futbolli.

Përderisa, një fjalë popullore thotë se “qejfi paguhet”, kjo nuk ka ndodhur me drejtuesit e PTK-së të cilët nuk e kanë futur fare dorën në xhepin e tyre për aktivitete qejfi. 

Keqmenaxhimi i buxhetit të Telekomit të Kosovës ka shkuar deri në atë pikë, saqë drejtuesit e këtij institucioni kanë paguar nga kuleta e ndërmarrjes edhe termine për futboll.

Kjo formë e keqpërdorimit të parasë publike, më shumë se për vlerën e parave të shpenzuara, dëshmon për mentalitetin zhvatës të drejtuesve të kësaj ndërmarrje, të cilët prej vitesh e kanë dërguar këtë kompani buzë falimentimit.      

Në kuadër të shkrimeve për keqpërdorimin e parasë publike në Telekom, Gazeta Sinjali posedon dokumente, ku dëshmohet se në disa muaj, kryesisht gjatë vitit 2018 është zhvatur buxheti i ndërmarrjes për shpenzime të rekreacionit për menaxhmentin.

Në bazë të shpenzimeve të bëra del se janë aranzhuar rreth 56 termine futbolli kryesisht për menaxhmentin dhe stafin e PTK-së, në qendrën sportive, ”Bujqësia” e cila gjendet në lagjen “Emshir” afër shkollës bujqësore.

Ditë më parë  Sinjali ka raportuar se si drejtuesit e Telekomit kishin keqpërdorur buxhetin e ndërmarrjes edhe për sigurimin e biletave për ndeshjen Kosovë- Kroaci e cila ishte mbajtur në tetorin e vitit 2016 në Shkodër. Drejtuesit e Telekomit, në krye me kryeshefin ekzekutiv, Agron Mustafa, në atë kohë kishin marr nga buxheti i PTK-së hiç më pak se 935 euro për ta parë këtë ndeshje.

Kjo formë e pandjeshmërisë rreth menaxhimit dhe keqpërdorimit të parasë publike, ka ndodhur prej vitesh në këtë ndërmarrje.

Në anën tjetër, Kosova prej vitesh është ndër vendet me shkallën e lartë të papunësisë dhe të familjeve me gjendje të rëndë sociale. Sipas raportit të sivjetmë të Bankës Boterore “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2019”, shkalla e papunësisë në Kosovë është 29 për qind. Kjo gjendje po i detyron shumë qytetarë të gjejnë rrugë për të ikur nga vendi. /Sinjali/