image Melon nënshkruan marrëveshje për investime strategjike në kompaninë kosovare Frakton

Teknologji

Melon nënshkruan marrëveshje për investime strategjike në kompaninë kosovare Frakton

news image

FRAKTON dhe Melon, kanë nënshkruar një marrëveshje strategjike investive e cila do të sjellë risi në treg dhe mbi të gjitha do të mundësojë krijimin e shumë vendeve të reja të punës në Kosovë dhe më gjerë.

Për Melon, kjo paraqet një udhëtim të ri bashkë me një kompani të shkëlqyer nga Kosova dhe mbi të gjitha paraqet një hap të rëndësishëm për t’u zgjeruar në rajonin e talentëve të zhvillimit softuerik, të Evropës Juglindore. Në të nj[jtën kohë, për Frakton kjo paraqet një mundësi që t’i bashkojë forcat me një kompani ndërkombëtare dhe të shtyjë përpara edhe më shpejtë biznesin e saj veçse në rritje.

Pas disa viteve performancë dhe rritje të jashtëzakonshme, Melon ka krijuar momentum të mjaftueshëm për të përshpejtuar mundësitë e saja për zgjerim. Suksesi i kompanisë në menaxhimin e shërbimeve softuerike, nga zyrat në Maqedoni dhe Bullgari, mundëson që kompania të realizojë me konfidencë investime të rëndësishme në rajonin e Evropës Juglindore. Melon është duke kërkuar vazhdimisht ekipe softuerike që kanë kulturë organizative të hapur, pozitive dhe të orientuar drejt rritjes. Frakton përshtatet në mënyrë të përkryer në këtë aspekt dhe një marrëveshje është mëse e natyrshme.

“Jemi shumë të lumtur që po bashkojmë forcat me Frakton dhe të ngrisim në një nivel të mëtutjeshëm rritjen tonë në rajon. Ekosistemi i zhvillimit softuerik në Kosovë ka qenë në vëmendjen tonë për më shumë se dy vjet dhe ne besojmë që komuniteti i Kosovës ka shumë talentë të rinj me kulturë të ngjashme. Besojmë që Frakton është forcë tërheqëse dhe shumë e rëndësishme për të ndihmuar Melon që të ndërtojë ekipin më tutje dhe të ndihmojë partnerët dhe klientët tanë në iniciativat e tyre të transformimit digjital”, tha Krum Hadjigeorgiev, CEO i Melon.

Frakton është një kompani e mirënjohur në tregun e zhvillimit softuerik të Kosovës dhe ka një reputacion të fuqishëm edhe si punëdhënës, por edhe si ofrues i shërbimeve për shumë kompani ndërkombëtare. Të inspiruar nga shpirti i një vendi të ri e të pavarur rishtazi, menaxhmenti ka qenë në gjendje të ndërtojë një pozicion të tillë për veten që të bëhet partner shumë i rëndësishëm për shumë kompani ndërkombëtare.

“Ne kemi qenë në një proces të rritjes së jashtëzakonshme dhe gjatë këtij rrugëtimi kemi kërkuar vazhdimisht një partner që ndan vlerat dhe kulturat e njëjta me ne. Ne besojmë që Melon është partneri që do të na shtyjë para rritjen tonë drejt tregjeve dhe shërbimeve që kemi dashur të arrijmë për vite me radhë. Kjo do të mundësojë që të arrijmë edhe cakun tonë të të qenit një prej kompanive më të mëdha teknologjike në Kosovë, por mbi të gjitha edhe vendi më atraktiv për njerëz të interesuar në punësim dhe zhvillim”, tha Çelik Nimani, CEO i FRAKTON.

Duke shikuar drejt së ardhmes, të dy kompanitë janë entuziaste dhe të motivuara për të konvertuar këtë hap të rëndësishëm në një tregim suksesi që do të shërbejë si shembull për bashkëpunimin rajonal, si dhe për të mirë të zhvillimit të tregut vendor dhe ndërkombëtar.