image Mehaj pas takimit me ambasadorin amerikan: Do të rrugëtojmë së bashku - Sinjali

Mehaj pas takimit me ambasadorin amerikan: Do të rrugëtojmë së bashku

news image

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti sot në takim ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Duke i dëshiruar mirëseardhje dhe fillimin e misonit diplomatik në vendin tonë, Ministri Mehaj i shprehu edhe mirënjohjen e thellë për SHBA-në në mbështetjen e pazëvendësueshme për Kosovën në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Ai, gjithashtu, theksoi se mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.

Gjithashtu, ai  e njoftoi ambasadorin Hovenier edhe me objektivat  kryesore të tij duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet tjera partnere.

Ndër të tjera, ministri Mehaj theksoi se, FSK është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.

 Nga ana e tij, ambasadori Hovenier, premtoi se SHBA, përmes bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës dhe programeve tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin e fuqishëm me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë. /GazetaSinjali/

May be an image of 6 people, people standing and indoor

Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: