image Me shkarkimin në horizont, Trumpi refuzon fajësinë për dhunën

Analizë

Me shkarkimin në horizont, Trumpi refuzon fajësinë për dhunën

news image

Analizë e publikuar nga Washington Post

“Me të vazhduar në këtë shteg, mendoj se po shkaktohet një rrezik i jashtëzakonshëm për vendin tonë, dhe kjo gjë po shkakton zemërim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai. Dhe me këtë rast nuk e pranoi fajësinë për sulmin në Capitol ndërsa shtoi: “Nuk dua dhunë”. Ai, për më tepër, bëri të ditur se nuk sheh asgjë të keqe në fjalimin e tij përpara turmës së mbështetësve, pak orë para dhunës në Washington. “Njerëzit menduan se ajo çfarë thashë ishte krejtësisht me vend”

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndërmarrë të martën veprime të përshpejtuara drejt shkarkimit apo inicimit të hapave të tjerë për largimin me forcë të presidentit Donald Trump nga zyra, ani pse ai ka akuzuar rivalët demokratë dhe jo veten për sulmin vdekjeprurës të javës së shkuar në Capitol.

Gjatë adresimit para gazetarëve, Trumpi ka thënë se “problemi i vërtetë” nuk qëndron te retorika e tij, por te retorika që përdorën demokratët për t’i përshkruar protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” dhe dhunën në Seattle dhe Portland gjatë verës së kaluar. Ai në shënjestër i ka vënë edhe ligjvënësit që po këmbëngulin për shkarkimin e tij, duke pretenduar se kjo është “një gjë përnjëmend e tmerrshme që ata po bëjnë”.

“Me të vazhduar në këtë shteg, mendoj se po shkaktohet një rrezik i jashtëzakonshëm për vendin tonë, dhe kjo gjë po shkakton zemërim të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai. Dhe me këtë rast nuk e pranoi fajësinë për sulmin në Capitol ndërsa shtoi: “Nuk dua dhunë”.

Ai, për më tepër, bëri të ditur se nuk sheh asgjë të keqe në fjalimin e tij përpara turmës së mbështetësve, pak orë para dhunës në Washington.

“Njerëzit menduan se ajo çfarë thashë ishte krejtësisht me vend”.

Presidenti i mposhtur në komentet e tija të para përpara gazetarëve që nga dhuna e javës së kaluar nuk ka treguar shenja pendese për nxitjen e turmës në prag të mësymjes vdekjeprurëse me fjalët që tani janë pjesë akuzës së shkarkimit për nxitje të kryengritjes.

Këto deklarata ai i bëri teksa po nisej drejt Teksasit për ta mbikëqyrur murin kufitar me Meksikën. Ai nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët, pas mësymjes më serioze dhe vdekjeprurëse ndaj Capitolit në të gjithë historinë e vendit.

Trazirë pas trazire

Për ta çuar përpara shkarkimin, Dhoma e Përfaqësuesve ka provuar të martën që fillimisht t’i bindë nënpresidentin Mike Pence dhe Kabinetin republikan për të vepruar më me ngutje drejt largimit të Trumpit nga detyra, duke paralajmëruar se ai përbën kërcënim për demokracinë në ditët e pakta të mbetura të presidencës së tij.

Ligjvënësit e Dhomës janë mbledhur në Capitol për të parën herë qëkur turma e mbështetësve të Trumpit hyri brenda ndërtesës në kundërshtim të kalimit të rezolutës që i bënte thirrje Pences ta aktivizonte Amendamentin 25 për ta shpallur presidentin të paaftë për detyrën. Pence nuk pritet që ta ndërmarrë një veprim të tillë. Si rrjedhojë, Dhoma pritet që të ndërmarrë veprim të shpejtë për shkarkimin e Trumpit.

“Duhet të jemi tejet të ashpër dhe shumë të fortë tani, në aspektin e mbrojtjes së Kushtetutës dhe demokracisë”, ka thënë republikani Jamie Raskin.

Trumpi ballafaqohet me një akuzë të vetme – “nxitjen e kryengritjes” – në rezolutën për shkarkim, të cilën Dhoma do ta shqyrtojë gjatë të mërkurës, një javë para se demokrati Joe Biden të inaugurohet president më 20 janar.

Ngjarjet e pashembullta, për të cilat Trumpi do të bëhet presidenti i parë amerikan që do t’u nënshtrohet dy herë procedurave të shkarkimit, po zhvillohen në kohën kur vendi po përgatitet për trazira të tjera. FBI-ja ka paralajmëruar për potencialin e protestave të armatosura në Washington dhe shumë shtete të tjera nga besnikët e Trumpit në prag të inaugurimit të Bidenit.

Me shtrëngimin e masave të sigurisë, Bideni ka thënë se “nuk është i frikësuar” që ta bëjë betimin për detyrën para Capitolit.

Përplasjet rreth shkarkimit

Në debatin e Komitetit të Dhomës për Rregulla lidhur me caktimin e afateve kohore dhe procedurave për shkarkim, ligjvënësit i shpërfaqën vijat partiake të ndarjes nëpërmjet shkëmbimeve të rrëmbyeshme rreth përpjekjes republikane për ta vënë në dyshim integritetin e fitores zgjedhore të Bidenit.

Shefi i këtij komiteti, James McGovern, ka sfiduar përfaqësuesin republikan, Jim Jordan, të cilin Trumpi e dekoroi me Medalje Presidenciale të Lirisë gjatë të hënës, për të deklaruar se Bideni ka fituar në mënyrë “të drejtë dhe se zgjedhjet nuk janë vjedhur”.

Teksa i kanë mbetur vetëm edhe tetë ditë në detyrë, gjasat që iniciativa demokrate të rezultojë me shkarkimin e Trumpit duken të largëta.

Shkarkimi do të hapte rrugën për një gjykim në Senatin e kontrolluar nga republikanët, i cili është në pushim dhe nuk do të nisë punimet deri më 19 janar, një ditë para betimit të Bidenit. Pas kësaj, demokratët do të marrin kontrollin mbi Senatin kur dy fituesit e zgjedhjeve të javës së kaluar në shtetin e Georgias t’i nisin detyrat këtë muaj, duke e krijuar baraspeshën me 50-50 në këtë Dhomë dhe duke i dhënë nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris, të drejtën për votën që e thyen barazimin, pas betimit.

Mirëpo gjykimi për shkarkim mund të mbahet edhe pas largimit të Trumpit nga detyra.

Para kësaj, Dhoma e Përfaqësuesve kishte shkarkuar Trumpin në dhjetorin e 2019-s shkaku që i ushtroi presion presidentit të Ukrainës për ta hetuar Bidenin. Mirëpo Senati republikan e shfajësoi atë në shkurtin e 2020-s. Para Trumpit vetëm dy presidentë të tjerë amerikanë i ishin nënshtruar shkarkimit. Por ai do të bëhej i pari në historinë e SHBA-së që nëpër këtë proces do të kalonte dy herë.

Kjo analizë është përgatitur nga Washington Post