image Mbi 2 milionë euro borxh ndaj KRU "Prishtina" vetëm gjatë pandemisë

Financa

Mbi 2 milionë euro borxh ndaj KRU “Prishtina” vetëm gjatë pandemisë

news image

Borxhi i konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina” ka arritur në më shumë se 45 milionë euro. Ndërsa vetëm gjatë kohës së pandemisë borxhi i përgjithshëm ndaj kësaj kompanie është 2.1 milionë.

Kështu ka bërë të ditur, ushtruesi i Detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes KRU “Prishtina”, Sokol Xhafa.

“Borxhi total ndaj kompanisë tonë çdo vit ka shkuar në rritje sepse kanë ndikuar raste të ndryshme duke përfshirë edhe rastet sociale po ashtu edhe pjesën e komuniteteve pakicë, sepse një pjesë e tyre nuk është se paguajnë po shpenzimet i kanë të mëdha. Borxhi është mbi 45 milionë euro dhe do t’i afrohet 50 milionë euroshit si borxh total i akumuluar që nga pas lufta e tutje. Ndërsa borxhi vetëm gjatë kohës së pandemisë është 2.1 milionë i cili është grumbulluar vetëm nga gjysma e marsit deri në këtë kohë”, u shpreh ai.

Xhafa thotë se nëse pagesat nuk kryhen lëndet do të dërgohen te përmbaruesi për të gjithë ata që nuk kanë bërë pagesa për një kohë të gjatë.

“Qytetarët për fat të keq nuk është se kanë reflektuar në nivelin se qysh kanë qenë pritshmëritë por edhe shërbimet, sepse duhet të kuptohet se në një kohë pandemie në të cilën ne po operojmë ne po bëjmë jashtëzakonisht shumë ti furnizojmë të gjithë pa ndërprerë me ujë. Inkasimi ka rënie, rënien më të madhe e kishte në muajin prill, tani ka filluar të përmirësohet pak mirëpo nuk është në nivelet që neve na ofron siguri për të vazhduar investimet tona”, thotë Xhafa.

“Ftojmë konsumatorët ti bëjnë pagesat përndryshe i njoftoj konsumatorët ne si kompani kemi arrit që të dakordohemi me Odën e Përmbaruesve të Kosovës me të cilët shumë shpejt do të harmonizojmë marrëveshjen dhe kjo nënkupton që shumë shpejt edhe lëndët do të dërgohen në përmbarim për të gjithë ata që borxhet janë të akumuluara dhe nuk kanë reflektuar për kohë të gjatë me pjesën e pagesave”, u shpreh ai.

Sipas tij, borxhet e konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina” e kanë penguar këtë kompani në realizimin e projekteve.

“Fatkeqësisht kjo na ka bërë që i gjithë menaxhmenti të rianalizojmë komplet pjesën e investimeve e të gjitha investimet janë në bazë të rekomandimeve të qeverisë që janë shtyre përveç investimeve të drejtpërdrejta që kanë të bëjnë me furnizim me ujë, e kjo do të thotë jemi vetëm në pjesët e rehabilitimit të ujit dhe në pjesën e ujëmatësve me qëllimin që të mbajmë kënaqëshmërinë e konsumatorëve në nivelin e duhur”, u shpreh ai për EO.

Edhe kjo ndërmarrje është prekur nga koronavirusi. Xhafa ka thënë se në njësinë e Drenasit janë të infektuar 6 punëtorë të cilët janë në vetizolim. /GazetaSinjali/