image Mbi 1 milion euro vetëm për paga dhe mëditje shpenzoi Kuvendi në tre muajt e parë të vitit

Financa

Mbi 1 milion euro vetëm për paga dhe mëditje shpenzoi Kuvendi në tre muajt e parë të vitit

news image

Për tre muajt e parë të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka shpenzuar 1 milion e 313 mijë euro vetëm për paga dhe mëditje, ndërsa, për mallra dhe shpenzime ka shpenzuar 168 mijë e 103 euro.

Kjo është bërë e ditur sot nga sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere gjatë raportimit për shpenzimet e kuvendit për tremujorin e parë 2021.

Deputetët e opozitës shprehën pakënaqësinë e tyre për nivelin e ulët të shpenzimeve për projektet kapitale nga ana e parlamentit.

Sekretari Krasniqi theksoi se shpenzimet kapitale për këtë periudhë janë 254 mijë euro.

“Sipas të dhënëve të prezantuara në raport për tremujorin e parë të vitit 2021, kemi këtë pasqyrë të shpenzimeve: te kategoria e pagave kemi shpenzuar 1 milion e 313 mijë euro ose 17.11 për qind për tremujorin e parë. Për mallra dhe shpenzime kemi 168 mijë e 103 euro shprehur në përqindje 10.38 për qind, për shpenzimet komunale 59 mijë e 825, për shpenzimet kapitale 254 mijë ose 19.82 për qind”, theksoi Krasniqi.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Bedri Hamza njëherësh anëtar i Komisionit, tha se shpenzimet të cilat kanë ndodhur në parlament janë brenda linjave buxhetore, por ka inkurajuar sekretarin dhe administratën e Kuvendit që të ketë një dinamikë më të lartë të shpenzimeve për projektet kapitale.

Me shumicë të votave, Komisioni vendosi që t’i rekomandojë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që ta miratojë raportin e shpenzimeve për tremujorin e parë 2021.

/GazetaSinjali/