image Marrëveshja me Serbinë po shihet vështirë e arritshme gjatë këtij viti

Politikë

Marrëveshja me Serbinë po shihet vështirë e arritshme gjatë këtij viti

news image

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se për herë të parë ka mungesë të madhe të transparencës në negociatat e Brukselit, pasi sipas saj, nuk po dihet se çfarë po diskutohet.

Ajo thotë se fillimisht duhet rilegjitimim te populli, e më pas arritje të marrëveshjes finale.

“Jam shumë e bindur se duke pasur parasysh brishtësinë e kësaj qeverie dhe mungesën e legjitimitetit, do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme shumë shpejtë në Kosovë, pastaj qytetarët të vendosin se kush janë subjektet apo personat që duhet t’i drejtojnë institucionet e Kosovës. Në të kundërtën nëse vazhdon kështu ne jemi shumë të shqetësuar për qasjen e qeverisë Hoti”, ka thënë Haxhiu.

Kurse, Violeta Haxholli, hulumtuese në KDI, thotë se çështjet e shumta të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e bëjnë të vështirë arritjen e një marrëveshje brenda këtij viti.

“Mendoj se ende është rrugë e gjatë për të arritur deri tek ajo marrëveshje meqenëse ka pika diskutabile mes Kosovës dhe Serbisë të cilat do të jetë shumë e vështirë të arrihet një dakordim”, ka thënë Haxholli.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike kërkon kujdes që mos të caktohen më afate si të kaluarën.

Dy javë më parë në Washington, kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik. /Gazeta Sinjali/