image Manchester City s'e lëshon yllin kroat, kontrata e re për Gvardiolin afër finalizimit

Futboll

Manchester City s’e lëshon yllin kroat, kontrata e re për Gvardiolin afër finalizimit

news image

Manchester City është pranë arritjes së një marrëveshjeje të re me mbrojtësin kroat Josko Gvardiol, pavarësisht se kontrata e tij aktuale është e vlefshme deri në vitin 2028.

Kampionët e Anglisë synojnë ta blindojnë 24-vjeçarin me një kontratë afatgjatë, duke shmangur interesimin në rritje të klubeve të mëdha evropiane për shërbimet e tij.

Sipas gazetarit Ben Jacobs, Real Madridi, Barcelona dhe Bayern Munich kanë shfaqur interes për mbrojtësin kroat, por Manchester City mbetet i vendosur ta mbajë atë në “Etihad”.

“Josko Gvardiol po negocion me Manchester Cityn për një zgjatje të kontratës. Bayern gjithashtu ka treguar interes për mbrojtësin kroat, i cili dërgoi një kërkesë, ndërsa Barcelona gjithashtu ka shqyrtuar mundësinë e sjelljes së tij”.

“Manchester City dëshiron ta mbajë Gvardiolin dhe negociatat deri më tani për një kontratë të re kanë qenë pozitive”, ka shkruar Jacobs.

Gvardiol u shpall “Lojtari i Sezonit” te Manchester City për edicionin 2024/25, por sezonin e fundit zhvilloi vetëm 25 ndeshje në të gjitha garat për shkak të një frakture në këmbë të pësuar në janar, e cila e mbajti jashtë fushave për katër muaj.

Sipas Transfermarkt, vlera e tij në treg është rreth 70 milionë euro. Kroati iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2023 nga RB Leipzig për 90 milionë euro, ndërsa më parë ka luajtur edhe për Dinamo Zagrebin.

Aktualisht, Gvardiol është i grumbulluar me Kombëtaren e Kroacisë dhe po përgatitet për Kupën e Botës, ku do të përballet me Anglinë, Ganën dhe Panamanë. Ai ka zhvilluar 48 ndeshje me fanellën e Kroacisë, duke shënuar katër gola dhe ishte pjesë e skuadrës që fitoi medaljen e bronztë në Kupën e Botës në Katar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/