Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e një rikthimi të mundshëm të Vjosa Osmanit në LDK, shkruan Gazeta Sinjali.
Haziri tha se asnjëherë s’e përjashton atë mundësi , duke shtuar tutje se njerëzit e LDK-së kur e kanë humbur besimin kanë luajtur edhe në mënyrë demonstrative për ta demonstruar largimin e tyre.
“Asnjëherë s’e përjashtoj atë mundësi. Mundet mos me ndodh në këtë proces zgjedhor fatkeqësisht por asnjëherë nuk e përjashtoj atë mundësi sepse njerëzit e LDK-së kur e kanë humb besimin kanë luajt edhe në mënyrë demonstrative me demonstru largimin por në momentin e parë që e kanë parë janë rikthyer në shtëpinë e vetë politike dhe janë munduar me rikuperu me kontribut të sinqertë përkundër dëmit që është shkaktuar”, tha Haziri.
Tutje, Haziri theksoi se PDK-ja të vetmin rast e ka kuptuar që e vetmja mënyrë të fitojë ndaj LDK-së është me e përça këtë të fundit.
“Ne kemi vitin 2007, PDK-ja të vetmin rast e pat kuptuar që e vetmja mënyrë me fitu LDK’në është me e përça LDK-në. Ne kemi lejuar me ndodh ajo. Gabim i yni është ajo. Edhe tash VV po e sheh si mundësi rezultatin zgjedhor me kapitalizuar në përçarje të LDK’së që në përceptim publik e ka arrit. Pse duhet me mercenarë politik me i fituar zgjedhjet? Unë nuk jam prej asaj shkolle politike dhe nuk besoj që ka qëndrueshmëri’, tha Haziri në RTV Dukagjini.