image Limaj: Reciprociteti i implikon 30 e diçka marrëveshje

Kosovë

Politikë/ Limaj: Reciprociteti i implikon 30 e diçka marrëveshje

news image

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, vlerësoi se Kosova është vonuar me dialogun dhe se pasojat, po vërehen dita-ditës.

Ai ka shtuar se Qeveria nuk ka kapur momentin, sidomos pas përfshirjes së presidentit amerikan Donald Trump dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Tash e 3-4 vjet, Merkel po merret me Kosovën. Paramendoni sa punët i ka një kancelare gjermane. Zyra e saj është e interesuar të zgjidhë problemin e Kosovës. Por, cila është sjellja jonë? Në mars, unë pres marrëveshje tjera, të kësaj natyre”, ka thënë Limaj.

Ai ka folur edhe për taksën ndaj mallrave të Serbisë, të vendosur nga Qeveria Haradinaj dhe për reciprocitetin e paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti. Ka kritikuar Kurtin, pasi sipas tij, nuk është i qartë në atë që ka propozuar.

“Kjo tregon që reciprocitetin e kanë kryer me një fjalë në programin e tyre, edhe janë ndalur. Këta nuk dinë çka është reciprociteti. Nuk e kanë shtjelluar deri në fund. Ka thënë se do të ketë reciprocitet politik, ekonomik e tregtar. Kur dilni me një qëndrim të tillë, duhet ta bëni me detaje”, ka thënë Limaj.

Ai nuk ka dashur të flasë për taksën, nëse duhet hequr apo jo. Ka thënë se po e pret qëndrimin e kryeministrit.

“Duhet ta dëgjojmë kryeministrin. Unë e pres atë të shoh se si po vepron. Unë e kam qëndrimin tim, sonte s’do të flas për këtë. Ne presim të vijë kryeministri me planin për reciprocitetin. S’duam ta nxjerrim në presion. Duam të shohim opsionin e tij. Le të vijë me dokumente dhe në bazën e tyre, do të gjykojmë”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se duhet pasur kujdes në këtë, pasi sipas tij, një qeveri është larguar për shkak të taksës “pak a shumë”, duke iu referuar Qeverisë Haradinaj.

“Reciprociteti i implikon 30 e diçka marrëveshje. Shumë më komplekse është kjo çështje se që po flitet. Kjo tregon se partnerët e koalicionit nuk e kanë studiuar deri në fund. Mezi po e presim atë letër, atëherë do të keni qëndrimin tonë. Partnerët kanë qasje të ndryshme me sa po shoh unë”. /Gazeta Sinjali/