image "Ligji rregullon çështjen për certifikimin e kandidatëve, partitë t’i respektojnë procedurat"

Kosovë

“Ligji rregullon çështjen për certifikimin e kandidatëve, partitë t’i respektojnë procedurat”

news image

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka shpalosur planin për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ndërsa është folur edhe për certifikimin e listave zgjedhore.

Ismet Kryeziu nga ky koalicion tha se ligji rregullon çështjen e certifikimit të kandidatëve, duke ftuar partitë të respektojnë procedurat ligjore pas vendimit të KQZ-së të premten, nga i cili 3 parti nuk morën aprovimin për listat e tyre.

“Sa i përket proceduarave për certifikimin e kandidatëve që lidhen me vendimin e djeshëm të KQZ-së, ligji e rregullon këtë çështje. U bëjmë thirrje partive që të respektojnë procedurat për certifikim”, tha ai.

Kryeziu tha se partitë kanë thyer rregullat e COVID-19 me tubimet që kanë filluar t’i mbajnë ende pa filluar fushata zyrtarisht.

“Partitë në mungesë të një reforme zgjedhore kanë filluar fushatën pa nisur ajo zyrtarisht. Gjatë këtij procesi partitë kanë thyer rregullat e institucioneve në raport me COVID-19. Kemi numër të rritur të pacientëve, takimet me numër të madh njerëzish mund të jenë arsye për rritjen e numrit të pacientëve. Bëjmë thirrje që partitë t’i bëjnë publike financat. Shpenzimet duhet të jenë në raport me vendimet e KQZ-së”, tha ai.

/GazetaSinjali/