image Lajçak takohet pasdite me Osmanin dhe Kurtin - Sinjali

Lajçak takohet pasdite me Osmanin dhe Kurtin

news image

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot arrin në Kosovë ku pritet të takohet me krerët e shtetit.

Lajçak do të zhvillojë takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani në orën 17:00, ndërsa në orën 18:00 e pret në takim kryeministri Albin Kurti.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se “këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”.

Stano kujtoi që në takimin e fundit i cili u mbajt më 15 nëntor, ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, kërkuan nga Kosova dhe Serbia respektimin e marrëveshjeve të arritura.

Duke u ndërlidhur me këtë, Stano theksoi që kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, që u arrit në kuadër të dialogut.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish refuzoi kërkesën e shefit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që ta vizitojë Kosovën.

Bazuar në të dhënat që posedon BE-ja, Stano theksoi se vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin në përputhje me marrëveshjen.

Vizita e Miroslav Lajçakut në Prishtinë vjen pas qëndrimit të tij edhe në Beograd ku ishte takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin