image Lajçak: Kurti është i ri në këtë dialog, por ka mandat të fortë politik

Politikë

Lajçak: Kurti është i ri në këtë dialog, por ka mandat të fortë politik

news image

Emisari Special i Be-së për dialogun, Miroslav Lajçak, teksa ka folur për takimin e parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit Serb, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur më 15 qershor ka thënë se nuk ka arsye për pesimizëm, përcjell Gazeta Sinjali.

Lajçak në një konferencë për media pas samitit të ballkanit perëndimor në Vjenë, deklaroi se është shenjë pozitive që të dyja palët kanë interes për normalizim të marrëdhënieve.

Besoj që nuk kemi të drejtë të jemi pesimistë, dhe nuk kemi as shkak të jemi pesimistë. Për takimin e parë personal midis liderëve të Serbisë dhe Kosovës do të ishte naive të themi që një takim i tillë ishte i thjeshtë. Fakti që një takim u zhvillua dhe u fol për disa orë dhe ku të dyja palët janë të interesuara për një normalizim të marrëdhënieve dhe që besojnë se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e duhur është një shenjë pozitive”,tha ai.

Tutje ai ka shtuar se kryeministri Albin Kurti ka një mandat të fortë në Kosovë dhe mund të flasë me autoritet në këtë proces.

Do të ketë takim tjetër para pushimeve të verës. Kryeministri Albin Kurti është i ri në këtë dialog, është një proces që ka nisur në vitin 2011 dhe ka sjellë disa rezultate. Ai [Albin Kurti] i sjell pikëpamjet e tij në këtë proces dhe është e rëndësishme që ai ka një mandat shumë të fortë politik, sepse atë e ka zgjedhur një shumicë e madhe dhe mund të flasë me autoritet”.

Emisari Special i BE-së për dialogun deklaroi se s’ka alternativë tjetër në dialogun Kosovë-Serbi pos normalizimit të marrëdhënieve.

Nuk ka alternativë në këtë dialog përpos normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo ka rëndësi për gjithë rajonin. Duam të angazhohemi që procesi të jetë i suksesshëm, jo vetëm në marrëdhëniet midis të dyja shteteve, por edhe të ardhmes evropiane”, shtoi tutje ai. /Gazeta Sinjali/