image Lajçak i zhgënjyer me masat e reciprocitetit të vendosura nga Kurti, kërkon largimin e tyre të mënjehershëm

Politikë

Lajçak i zhgënjyer me masat e reciprocitetit të vendosura nga Kurti, kërkon largimin e tyre të mënjehershëm

news image

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ka reaguar pas vendimit të qeverisë në detyrë që reciprocitetit të Serbisë t’i shtohen masa të reja.

Lajçak ka thënë se është i zhgënyer me këtë vendim, duke shtuar se veprime të tilla e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë.

“I zhgënjyer për masat e reja të reciprocitetit, të vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë. Siç është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog t’i zbatojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.

Ndryshe, Zyra e Kryeministrit ka bërë me dije se është marrë vendim që të ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale të cilat hyjnë nga Serbia në Kosovë, që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera që janë në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

“Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve të këtij vendimi, në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ky vendim parasheh që kompanitë nga Serbia të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn nga Serbia në Kosovë./Gazeta Sinjali/