image Ky është punëtori i postës 'Falcon' që dyshohet se inskenoi grabitjen e 1 mijë eurove, ndalohet për lajmërim të rrejshëm

Siguri

Ky është punëtori i postës ‘Falcon’ që dyshohet se inskenoi grabitjen e 1 mijë eurove, ndalohet për lajmërim të rrejshëm

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast të inskenuar të grabitjes nga një punëtor i kompanisë  ‘Falcon’ – postë e shpejtë me seli në Lipjan. Punëtori i dyshuar u zbulua nga Policia pasi ai denoncoi rastin dhe deklaroi rrejshëm se dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës ia kanë grabitur rreth 1 mijë euro, dje në Mazgit të Obiliqit.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se bëhet fjalë për Atdhe Kelmendin, 36-vjeçar nga Obiliqi, i cili tashmë është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Ai po dyshohet se dje në mëngjes ka telefonuar Policinë dhe ka raportuar se hajnat ia kanë zënë pritën në Mazgit dhe ia morën 1 mijë euro para të gatshme dhe një telefon, e më pas ikën nga vendi i ngjarjes.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë përkatëse të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me një ekip të Emergjencës. Punëtori i dyshuar siç duket e planifikoi në detaje inskenimin e rastit saqë kërkoi ndihmë mjekësore për shkak të ‘shqetësimit’ të madh nga ‘grabitja’.

Raportimi i rastit bëri që Policia të aktivizohej menjëherë për të bërë hetimet e nevojshme për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar. Por nuk shkoi gjatë dhe u zbulua se vet denoncuesi ishte person i dyshuar.

Pra sipas informatave të para, punëtori i kësaj poste e ka inskenuar gjithë rastin, për motive ende të panjohura. Lidhur me këtë, ai do të hetohet për veprën penale “lajmërim i rrejshëm”.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me kompaninë, por numri i tyre kontaktues ka qenë i paqasshëm.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/