Gazeta Sinjali raportoi sonte për një rast të tentim vrasjes që ndodhi në orët e pasdites, në Korishë të Prizrenit. Një person gjuajti me armë zjarri në drejtim të një 27-vjeçari, por nuk e qëlloi. Lidhur me këtë rast kanë nisur hetimet, me ç’rast i dyshuari është ndaluar.
Burimet e Sinjalit thonë se bëhet fjalë për Kosovar Muqajn, 25-vjeçar, i cili pas një mosmarrëveshje kishte shkuar në afërsi të një pompe të derivateve (pronë e familjes së viktimës) dhe ka shtënë një herë nga distanca në drejtim të viktimës.
Posa Policia është njoftuar ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë e armës, ndërsa i dyshuari ishte paraqitur vet në stacion policor dhe e ka dorëzuar armën e përdorur.
Pas mbledhjes së provave nga vendi ku ndodhi ngjarja, i njëjti është intervistuar nga hetuesit për veprën me të cilën ngarkohet dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.